Gjykata urdhëron rinumërimin e votave në raundin e parë të zgjedhjeve në Rumani

BOTA


Gjykata Kushtetuese e Rumanisë ka urdhëruar rinumërimin e votave të rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në vend, të cilin e fitoi befasisht kandidati i ekstremit të djathtë. Kushtetuesja tha në një komunikatë më 28 nëntor se ka “urdhëruar njëzëri rishikimin dhe rinumërimin e votave për zgjedhjet presidenciale të 24 nëntorit”.

Gjykata në Bukuresht tha se vendimi i saj është përfundimtar. Komisioni Qendror Zgjedhore do të takohet më vonë gjatë ditës për të diskutuar për vendimin e gjykatës.

Calin Georgescu, kandidati i pavarur dhe prorus i ekstremit të djathtë, shënoi fitore befasuese në rundin e parë të zgjedhjeve, duke i marrë afro 23 për qind të votave.

Georgescu pritet të përballet me Elena Lasconin, kandidaten e qendrës së djathtë dhe mbështetësen e fuqishme të integrimit euro-atlantik, në balotazhin e 8 dhjetorit, pasi që të dy morën më shumë vota se kryeministri majtist dhe favoriti, Marcel Ciolacu.

Pa përkrahjen e asnjë partie politike, fushata e Georgescut u mbështet kryesisht në platformën sociale TikTok, ku llogaria e tij kishte 1.6 milionë pëlqime. Përveçse shprehte pikëpamjet e tij politike, Georgescu e përdorte gjithashtu TikTok-un për të postuar video ku shihej duke shkuar në kishë, duke bërë xhudo dhe duke vrapuar në pistë.

Presidenti i Rumanisë ka kompetenca të rëndësishme vendimmarrëse, përfshirë per çështjet e sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme. I zgjedhur për një mandat pesëvjeçar, presidenti gjithashtu ka pushtet të mos i pranojë kandidaturat partiake për kryeministër dhe emërimet qeveritare për poste gjyqësore./REL



Skip to toolbar