Gjykata vendos sot masën e sigurisë për Lefter Kokën

AKTUALITET


Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, do të dalë sot para Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit për të mësuar masën e sigurisë.

Seanca do të mbahet sot në orën 11:15, ndërsa mësohet se Koka do të flasë sot për arrestimin e tij. Avokati i Kokës, Fatmir Braka, është shprehur se klienti i tij nuk ka dhënë asnjë deponim. Avokati Braka ka deklaruar që ish-ministri do të tregojë gjithçka di për aferën e inceneratorëve në gjykatë kur të dalë për t’u njohur me masën e sigurisë.

Ish-ministri Lefter Koka vijon të mbahet në qelitë e paraburgimit. Kujtojmë që vendimi për arrestimin e Lefter Kokës, Klodian Zotos dhe Stela Gugalljas si pronarë të inceneratorëve është marrë të dielën dhe Policia e ka ekzekutuar të martën vendimin.

Për pasojë, Zoto e Gugallja nuk janë kapur ende. Akuzat e ngritura nga SPAK për personat nën hetim janë: “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”. Prokuroria e Posaçme thotë se ka provuar që procedura e dhënies se koncesionit dhe lidhja e kontratës për inceneratorin e Elbasanit ka qenë në shkelje të ligjit si dhe në kundërshtim me sugjerimet e Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Prokurimit Publik.

Sipas SPAK, nga hetimet e kryera është provuar se në procedurën e dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, nuk janë kryer të plota veprimet përgatitore për dhënien e koncesionit. Ndër të tjera SPAK thotë se Lefter Koka në kohën qe ka qenë ministër “ka përfituar shumat monetare 368.672.760 lekë dhe 91.963.141 lekë, që iu janë faturuar shoqërive ‘Albtek Energy’ sh.p.k. dhe ‘Integrated Technology Services’ sh.p.k”.

Shtetasi Lefter Koka, në cilësinë e ish-ministrit të Mjedisit, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare ‘Albtek Energy’ sh.p.k. dhe ‘Integrated Technology Services’ sh.p.k., që janë përfitueset e kontratës së koncesionit, përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë koncesionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale Kundër korrupsionit.



Skip to toolbar