Gjykatësja në Kolorado i hap rrugë kandidimit të Donald Trump

BOTA


Një gjykatëse në Kolorado vendosi të lejojë ish-presidentin Donald Trump të vijojë kandidimin në zgjedhje në këtë shtet vitin e ardhshëm, duke refuzuar kështu kërkesën për ta skualifikuar atë në lidhje me ngjarjet e 6 janarit 2021, kur mbështetësit e tij sulmuan Kapitolin.

Edhe pse pritet që vendimi i gjykatëses Sarah Ëallace të apelohet, sërish ai konsiderohet një fitore për Trump i cili po përballet me një seri sfidash kundër kandidimit të tij, bazuar tek një nen i Kushtetutës amerikane që ndalon marrjen e posteve federale nga persona që janë përfshirë në kryengritje apo rebelim.

Çështja në Kolorado ishte ngritur nga një grup votuesish të ndihmuar nga organizata me seli në Uashington, “Qytetarët për përgjegjshmëri dhe etikë”. Sipas VOA, avokatët e votuesve paditës u shprehën se ish-Presidenti Trump u angazhua në rebelim duke përhapur pretendime false për manipulim të gjerë zgjedhor, pas humbjes së tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, si dhe duke thirrur mbështetësit në një tubim në Uashington dhe duke u bërë thirrje të marshonin drejt Kapitolit, ku Kongresi ishte mbledhur për të çertifikuar rezultatin e zgjedhjeve.

Vendimi i gjykatëses në Kolorado mund të apelohet në gjykatën e lartë të këtij shteti dhe në vazhdim në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara, ku shumica e gjykatësve janë konservatorë, 6 me 3, ndër ta tre të emëruar nga ish-Presidenti Trump.



Skip to toolbar