Kryetarja e PS-së së Tiranës, Blerina Gjylameti po vëzhgon këtë të hënë procesin e numërimit të votave në KZAZ 36 në Kombinat. Ajo tha se deri në mesditë do të përfundojë numërimi për kandidatët për krytarë dhe më pas do të nisë numërimi i votave për këshillin bashkiak.
Në një intervistë për News 24 Gjylamenti tha se pas këtyre zgjedhjeve është koha për reflektim si për PS-në ashtu dhe për PD-në e cila bojkotoi zgjedhjet pavarësisht ftesës së vazhdueshme për dialog nga ana e maxhorancës.
“Kur flasim për zgjedhje moniste flasim vetëm për një kandidat. Ndërsa në këto zgjedhje ka disa kandidatë. Ne kemi ofruar të gjitha garancitë opozitës për të ardhur në tavolinë dhe për të diskutuar se çfarë duhet të bëjmë që procesi zgjedhor të ketë standardet që ata donin. Kodi zgjedhor thotë që nëse nuk duan të marrin pjesë në zgjedhje, janë në të drejtën e tyre. Ne kemi bërë ftesë të vazhdueshme që ata të ktheheshin. Dje shifrat treguan se vendimi ynë për të vazhduar përpara është mbështetur me vota më shumë se në zgjedhjet e mëparshme.
Përballë kemi një forcë politike që nuk do të punojë të bëhet alternativë por të pengojë. Shpresoj që të gjithë të fillojnë të reflektojnë në lidhje me pritshmëritë e shqiptarëve”, tha Gjylameti.