Gjyqi kundër mafias italiane, mbi 230 të dënuar, 30 vite burg dy drejtuesve të Ndrangheta

AKTUALITET


Një gjykatë italiane dënoi mbi 230 të pandehur në përfundim të një prej proceseve gjyqësore më të mëdha kundër mafias, që pati në epiqendër grupin kriminal Ndrangheta, në zemrën e rajonit jugor Kalabrisë. Mbi 330 mafiozë të dyshuar dhe bashkëpunëtorët e tyre, ndër ta edhe zyrtarë të qeverisë, u përballën me një seri akuzash, si trafik i drogës dhe vjedhja në procesin gjyqësor që zgjati më shumë se 3 vite.

Agjencia italiane e lajmeve “Ansa” tha se gjyqtarëve iu deshën 1 orë e 40 minuta vetëm për të lexuar vendimin e tyre. Dënimet më të rënda iu dhanë Saverio Razionales dhe Domenico Bonavotas, dy drejtues të mafias në Kalabria, me nga 30 vite burgim secilit. Në mesin e të dënuarve ishte Giancarlo Pittelli, avokat dhe ish-politikan me partinë Forza Italia, që është pjesë e koalicionit qeverisës. Ai u dënua me 11 vjet burg për bashkëpunim me mafian dhe dhënie informacioni. Giorgio Naselli, ish-shef i policisë lokale, u dënua me dy vjet e gjashtë muaj.

Vendimi i shkallës së parë i së hënës mund të apelohet si nga mbrojtja ashtu edhe nga prokuroria. Ndrangheta konsiderohet nga prokurorët si grupi mafioz më i fuqishëm i Italisë, që eklipsoi me lehtësi bandën më të famshme Cosa Nostra në Siçili, me ndikimin e saj që shtrihet në të gjithë Evropën dhe më gjerë.



Skip to toolbar