Ish-kryeparlamentari Kadri Veseli në fjalën përmbyllëse në gjyqin që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së për luftën në Kosovë, ka deklaruar se Gjykata duhet me çdo kusht të mbroj të vërtetën, drejtësinë dhe pavarësinë.
Gazetarja e RTSH, Jonida Omeri raporton se Veseli ka deklaruar në Gjykatën Speciale në Hagë se pas dekadash hetimesh, nuk ka asnjë provë që të tregojë se ai ka kryer ndonjë krim.
Ai ka theksuar se veprimet e tij kanë qenë të ligjshme, ndërsa nënvizon se populli i Kosovës u privua nga e drejta për të jetuar si qytetarë të barabartë.
“Unë e di kush jam dhe çfarë kam bërë. Gjykata duhet, me çdo kusht, të mbrojë të vërtetën, drejtësinë dhe pavarësinë.
Liria nuk mund të arrihet përmes padrejtësisë. Unë e di çfarë do të thotë të jetosh nën kërcënim të vazhdueshëm; këtë përvojë nuk ia uroj askujt.
Pas dekadash hetimesh, nuk ka asnjë provë që të tregojë se kam kryer ndonjë krim. Populli ynë u privua nga e drejta për të jetuar si qytetarë të barabartë.
Drejtësia mund të vonohet, por nuk mund të mohohet. Unë e di kush jam dhe çfarë kam bërë; veprimet e mia kanë qenë të ligjshme.
Edhe në momentet më të vështira, nuk e kam humbur besimin se e vërteta do të triumfojë”, deklaroi Veseli.
Ky i fundit, së bashku me tri ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi akuzohen nga Prokuroria Speciale për krime lufte, ndërsa është kërkuar 180 vite burg në total për ta.
