Dy persona kanë rënë në pranga, pasi akuzohen për vjedhje parash nën kërcënimin e armës. Banesa e shtetasit I.H., në Grykë-Nokë të Dibrës është grabitur nga 4 persona të armatosur. Policia e Dibrës ka arritur të arrestojë 2 prej grabitësve ndërsa 2 të tjerët janë identifikuar dhe shpallur në kërkim.
Sipas policisë, në pranga janë vënë M.M, 26 vjeç dhe D.M, 26 vjeç, ndërsa janë shpallur në kërkim M.K, 25 vjeç, banues në Dibër, dhe F.H, 20 vjeç, banues në Kukës.
Policia e Dibrës pas marrjes së informacionit se disa persona, nën kërcënimin e armës ishin futur në një banesë në fshatin Grykë Nokë dhe nën kërcënimin e armës kishin marrë një shumë parash, menjëherë ka shkuar në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të autorëve.
Autorët në momentin që kanë konstatuar se po ndiqeshin nga policia kanë braktisur mjetin e tyre duke u fshehur në malin e fshatit Shumbat.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër kanë rrethuar autorët në një perimetër të gjerë dhe kanë vijuar ndjekjen dhe krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e tyre.
Pas disa orë ndjekje dhe mbajtje nën rrethim është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i tyre.
Policia njofton se vijon puna për kapjen e dy grabitësve të tjerë.