Policia e Krujës ka vënë në pranga pesë persona të dyshuar për grabitjen e ndodhur pak ditë më parë në postën e Krujës, ku u vodhën 110 milionë lekë. Burime nga policia thanë se pas arrestimit të rojës private, Besnik Parruca, i cili akuzohet për veprat penale ‘Moskallëzim krimi’ dhe ‘Shpërdorim detyre’, u vunë në pranga dhe 5 persona.
Të arrestuarit janë Gazmir Saka, Hysen Kica, Bujar Tafa dhe Andi Rexhepi (Paturri), ndërsa roja Besnik Parruca i prangosur pas grabitjes akuzohet për shpërdorim detyre. Sipas policisë, gjatë kontrollit të banesave dhe makinave që lëviznin është sekuestruar një sasi lekësh që u grabitën. Po ashtu janë gjetur makina të vjedhura, armë dhe sende të tjera, që i përdornin për hapjen e kasafortave. Dëshmitë dhe gjurmët e gishtave kanë sjellë zbulimin e autorëve që solli më pas prangosjen.
Sakaq, gjatë grabitjes janë fikur dritat dhe autorët kanë përfituar nga errësira për të marrë paratë. Policia dyshon se kjo grabitje është kryer me informacion nga brenda sistemit dhe kjo ka qenë indicja e parë e grupit hetimor. Më pas është bërë edhe ndalimi, dy janë prangosur të mërkurën në mbrëmje dhe dy të tjerë në orët e parë të mëngjesit të së enjtes.
Grabitja ndodhi mëngjesin e 4 tetorit, ku autorët kanë marrë rreth 110 milionë lekë dhe një sasi valute nga njëra prej kasafortave dhe më pas janë larguar. Roja private, pas marrjes dijeni për ngjarjen akuzohet se nuk ka kryer sipas detyrimeve ligjore njoftimin e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, as në momentin kur patrulla e policisë ka kaluar dhe e ka pyetur nëse kishte ndonjë problem tek posta, me pretendimin se është kërcënuar nga autorët.