Admir Murataj, sekuestro pasurie “pas vdekjes”, për grabitjen e Rinasit

Më të fundit


Krimet e Rënda kanë vendosur sekuestro për 1.5 milionë euro pasuri të Admir Muratajt, i shumëkërkuari që mbeti i vrarë në shkëmbimin me armë zjarri me forcat e rendit pas  grabitjes së 9 prillit në aeroportin e Rinasit. Pasuritë e sekuestruara, janë kryesisht shtëpi dhe automjete.

Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në DVP Tiranë, kanë bërë sekuestrimin  e  pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, të cilat i përkisnin shtetasve A. M., Sh. M. dhe C. M.

Gjatë hetimit janë zbuluar dhe më pas sekuestruar;

Vilë trekatëshe e ndodhur në Prezë, Tiranë, me një sipërfaqe totale ndërtimi 300 m2;

Truall me sipërfaqe 600.3 m2, ndodhur afër Saukut;

Garazh me sipërfaqe 23 m2; apartament me sipërfaqe 100.5 m2,

Apartament banimi në Sarandë, i porositur në datë 05.07.2012 te një shoqëri ndërtimi, kundrejt shumës 90 000 euro;

Apartament, me sipërfaqe 71 m2.

9 automjete të llojeve të ndryshme relativisht të shtrenjta

Këto pasuri rezultojnë në emër të Admir Muratajt dhe familjes së tij. Vlera e pasurive të sekuestruara llogaritet rreth 1,5 milion euro. Pasuritë e sekuestruara janë lënë në administrim të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.



Skip to toolbar