Grabitja me dhunë në Nikël, biznesmeni jep tjetër dëshmi

AKTUALITET


Gazetarja Dorjana Bezat zbardh detaje të reja nga grabitje me dhunë e biznesmenit Nazmi Çangu në Nikël të Fushë Krujës.

Në studion e emisionit “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, gazetarja Bezat tha se vetë biznesmeni ka dhënë një tjetër dëshmi në polici, ku nuk tregon shumën e parave dhe sendeve të tjera, që ndodheshin në kasafortë.

Siç shprehet gazetarja, në banesën e biznesmenit janë futur gjashtë persona, të cilët kishin informacion të saktë se ku ndodhej kasaforta, por edhe të të gjithë territorit.

“Pak minuta më parë një grup hetimor është larguar nga banesa e Çangut, i cili ka dhënë një dëshmi tjetër në polici, ku nuk tregon shumën e parave dhe sendeve të tjera, që ndodheshin në kasafortë. Kanë qenë gjithsej 6 persona, që janë futur në banesë dhe që kanë pasur synim të qartë, të marrin materialet që ndodheshin në kasafortë. Ata nuk kanë prekur asgjë në banesë, pasi kanë kërkuar vetëm çelësin e kasafortës. Ata kanë pasur dijeni se në kasafortë kishte materiale me vlerë dhe nuk dihet nëse objektivi i grabitësve kanë qenë materialet apo paratë.

Dokumentet kanë dalë nga dëshmia e një prej fëmijëve të biznesmenit, i cili ka thënë se babai ruante dokumente aty, por nuk kanë dhënë detaje. Edhe biznesmeni nuk ka dhënë detaje mbi dokumentet, duke thënë se ka pasur fatura dhe dokumente pune. Flitet për një shumë prej 100-120 milionë lekë. I dyshimtë është fakti se autorët kanë pasur informacion të saktë se ku ndodhej kasaforta, por edhe të të gjithë territorit. Zona ku ka ndodhur ngjarja është komplet e mbuluar nga kamera sigurie. Madje e gjitha zona aty është e ruajtur, pasi pranë janë të afërm të biznesmenit, të cilët kanë edhe ata kamera.



Skip to toolbar