I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, tha se është kundër masave të reciprocitetit, që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka paralajmëruar kundër Serbisë.
Zëdhënësi i tij, Dick Custin, tha për Radion Evropa e Lirë se Grenell e inkurajon Kosovën që ta heqë taksën 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, pa reciprocitet.
“Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, pa reciprocitet. Jo vetëm ta pezullojë, por ta heqë plotësisht atë”, tha Custin.
“Ambasadori nuk e mbështet idenë e reciprocitetit”, shtoi ai.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar një prononcim edhe nga zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, por deri më tani nuk është dhënë asnjë përgjigje.
Jeta Krasniqi, analiste nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha për Radion Evropa e Lirë, se deklarata e ambasadorit Grenell, shpreh qëndrimin e qartë të SHBA-së që edhe taksa të hiqet, por mos të vendoset asnjë masë tjetër, siç është përmendur reciprociteti.
Qeveria e re, thotë ajo, ka paralajmëruar zëvendësimin e taksës me masën e reciprocitetit kundër Serbisë, por ende nuk është sqaruar nga si do të zbatohet kjo politikë të cilën ata e kanë sugjeruar.
“Gjithsesi është një vendim i cili mbetet Qeverisë së Kosovës. Por, ajo që kemi kërkuar ne si KDI, ku lidhet më procesin e dialogut, është që të ketë një konsensus sa më të gjerë politik dhe i mbetet kryeministrit Kurti të ndërmarrë masa për të ndërtuar një konsensus sa më të gjerë politik. Por, i mbetet Qeverisë se Kosovës se çfarë masash do të ndërmarrë dhe si do veprojë lidhur më taksës dhe reciprocitetin”, tha Krasniqi.
Kosova u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina në nëntor të vitit 2018.
Kurti, i cili ka marrë detyrën e kryeministrit javën e kaluar, ka thënë se kjo masë do të zëvendësohet me reciprocitet ndaj Serbisë dhe se reciprociteti do të zbatohet “në aspektin ekonomik, tregtar dhe politik”. (REL)