Në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka filluar gjykimi ndaj krerëve të Organizatës të Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Dy udhëheqësit e shoqatës u deklaruan të pafajshëm për akuzat që përfshijnë pengimin e drejtësisë, frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Të dy të pandehurit i thanë kryetarit të trupit, Charles Smith, se ishin të pafajshëm për të gjitha akuzat.
“Unë jam gjithmonë kundër padrejtësisë”, tha Haradinaj.
Prokurorët thanë se të pandehurit janë përpjekur me qëllim të minojnë hetimet duke frikësuar dëshmitarët dhe duke publikuar dokumentet konfidenciale, transmeton AP.
“Gucati dhe Haradinaj janë kundërshtarë të zëshëm të këtij institucioni. Ata kanë denigruar secilin që ka njohur ose bashkëpunuar me Dhomat e Specializuara të Kosovës”, u tha prokurori, Jack Smith gjyqtarëve.
Dëshmitarët e parë pritet të dëshmojnë në këtë proces gjyqësor më vonë këtë muaj.
Veprat penale, që rëndojnë ndaj Gucatit dhe Haradinajt, sipas Dhomave të Specializuara, dyshohet se janë kryer në periudhën 7-25 shator, 2020.
Sipas aktakuzës, Gucati dhe Haradinaj “zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tri konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe nëpërmjet shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”.
Që të dy janë arrestuar më 25 shtator në Prishtinë dhe që atëherë gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë.
OVL e UÇK-së në shtatorin e kaluar tha se ka pranuar, në mënyrë anonime, dosje që lidhen me Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Përmbajtja e këtyre dosjeve nuk është bërë e njohur dhe nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike apo jo.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e supozuara të luftës të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.