Britanikët kanë shënuar radhët më të gjata të shikuara ndonjëherë në qendrat e votimit, të cilat u hapën të enjten për të zhvilluar zgjedhjet e parakohshme nga të cilat do të dalë qeveria dhe kryeministri i ri i Britanisë. E përditshmja Dailymail shkruan se radhë të tilla, kaq të gjata nuk janë parë në Britani për vite të tëra, ndërsa miliona njerëz kanë treguar interes të veçantë për të votuar pasi këto zgjedhje cilësohen mjaft të rëndësishme për Britaninë e Madhe për një gjeneratë të tërë për shkak të vendimit që do të merret për daljen e Britanisë nga BE.
Mijëra njerëz u mblodhën në ambientet jashtë shkollave, sallave të fshatrave, kishave, lokaleve dhe ndërtesave të tjera të komunitetit duke mbajtur radhën për të votuar duke qëndruar mbi 45 minuta në pritje, në mes të lagështisë e motit të acartë vetëm e vetëm që të ushtronin të drejtën e tyre për të votuar. Në Britani janë hapur në orën 7 të mëngjesit 50,000 qendra votimi.
Radhët më të mëdha u panë në lagjet margjinale të Londrës, ku njerëzit që ishin vonë për punë përshkruan ditën më të ngarkuar të zgjedhjeve që kishin parë për dekada të tëra.
Qindra njerëz pritën deri në 45 minuta për të votuar në Battersea, Bow, Brixton, Clapham, Wandsworth dhe Woolwich në kryeqytet, si dhe në Greater Manchester, Leeds dhe Birmingham.
Ekspertët kanë thënë që radhët e gjata të bëjnë të mendosh se pjesëmarrja në zgjedhjet e përgjithshme të dhjetorit do të jetë më e lartë se ajo e vitit 1923, kur kandidonin Clement Atlee dhe Sir Winston Churchill.
Pas gjashtë javësh në fushatë, Boris Johnson u shfaqe teksa votoi duke u dhuruar qenit të tij Dilyn një puthje të madhe. Ai e hodhi votën herët në mëngjes në qendrën e votimit më të afërt në Nr 10 Downing Street – por ishte pa partneren e tij Carrie Symonds në ditën më të rëndësishme të jetës së tij politike.
Ndërsa rivali i tij, udhëheqësi i Partisë Laburiste Jeremy Corbyn u përshëndet nga një numër i vogël i mbështetësve kur arriti për të votuar në veri të Londrës. Corbyn arriti të hedhë votën e tij në Shkollën Fillore Pakeman në Islington me gruan e tij Laura Alvarez rreth orës 9.25 të mëngjesit.