Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn është shfaqur optimist ndërsa shkruan në twitter se shumë shpejtë vendimi i Këshillit të Europës për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të ndryshojë.
“Rezultati zhgënjyes i Këshillit të kaluar Europian, që i refuzoi Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut fillimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian shumë shpejt do të ndryshojë”, shkruan Hahn në Twitter.
Eurokomisioneri i cili ka qenë gjithmonë një mbështetës i procesit integrues të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut e ka bërë këtë deklaratë pas takimit që ai dhe Presidenti Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker patën me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Bruksel.
Këshilli i Europës vendosi në tetor që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të mos e hapen negociatat, vendim ky që solli pakënaqësi të madhe jo vetëm për dy vendet, por edhe për shumë kryetarë shtetesh, të cilët e cilësuan një gabim historik.
Deri tani krerët më të lartë të BE kanë cituar Samitin e Zagrebit që do të mbahet në maj të 2020 ku pritet të diskutohet sërish çështja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por Hahn thotë se vendimi do të ndryshojë shumë shpejt, pa dhënë një datë konkrete. Mos ndoshta do të jetë më shpejt se maji? Kjo mbetet për t’u parë.