Pasuria sekrete dhe marrëveshjet e liderëve botërorë, politikanë e miliarderë janë ekspozuar në një prej rrjedhjeve më të mëdha të dokumenteve financiare. Sipas asaj që raportojnë të gjithë mediat ndërkombëtare pasditen e kësaj të diele, rreth 35 liderë, të shkuar dhe aktualë, dhe më shumë se 300 zyrtarë shfaqen në dokumentet në fjalë në kompani offshore.
Të quajtura Pandora Papers, në to zbulohet se Mbreti i Jordanisë ka prona me vlerë 70 milionë paund në Britaninë e Madhe në SHBA. Dokumentet tregojnë se ish-Kryeministri britanik, Tony Blair dhe bashkëshortja e tij, kursyen 312 mijë paund kur blenë një zyrë në Londër. Çifti bleu një firmë offshore që kishte në pronësi ndërtesën.
Nga rrjedhja e këtyre dokumenteve zbulohet po ashtu se Presidenti rus Vladimir Putin ka asete në Monaco, ndërsa kryeministri çek, Andrej Babis, i cili më vonë gjatë kësaj jave përballet me zgjedhjet, nuk deklaroi një kompani investimesh offshore të cilën e përdori për të blerë dy vila për 12 milionë paund në jug të Francës.
Këto dokumente vijnë në vrazhdën e një serie rrjedhjesh përgjatë 7 viteve të fundit, pas FinCen Files, Paradise Papers, Panama Papers dhe LuxLeaks.
Ekzaminimi i këtyre dokumenteve është më i madhi i organizuar ndonjëherë më parë nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë. Në të po marrin pjesë më shumë se 650 reporterë.
BBC shkruan se në hetim të përbashkët me britaniken Guardian dhe partnerë të tjerë mediatikë, reporterët kanë tashmë akses në 12 milionë dokumente nga 14 kompani të shërbimeve financiare në vende si British Virgin Islands, Panama, Belize, Qipro, Emiratet e Bashkuara Arabe, Singapor dhe Zvicër.
Disa prej emrave në këto dokumente përballen me akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe shmangie të taksave globale.
Por sipas BBC, një prej zbulimeve më të mëdha është sesi njerëz të njohur dhe të pasur kanë krijuar kompani për të blerë fshehurazi prona në Mbretërinë e Bashkuar.