Kandidati për kryeministër të Kosovës nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj është shprehur në një intervistë për Telegrafi.com, se vetëm pak muaj më parë Kosova rrezikonte të ndahej.
“Kosovës i ishte bërë gati një opsion i dhimbshëm, ai i ndarjes. Herët kur e kam marrë përgjegjësinë mendoj se ka qenë real kërcënimi për ndarje. Unë kam përdorur një strategji të krijimit të argumentit, ndaras nga dialogu që e fuqizojnë Kosovën, dhe të ndaljes së atij dialogu pastaj nxjerrjen e dialogut nga një proces i cili ishte jo transparent pra në një tavolinë kredibile siç ishte rasti me presidentin francez dhe kancelaren Merkel”, ka thënë Haradinaj.
Ai bëri të ditur se vendosja e taksës ndaj mallrave serbe ishte një përgjigje ndaj politikës serbe kundër anëtarësimit të Kosovës në institucionet evropiane, por edhe kërcënimi ndaj pjesëtarëve të FSK-së. Haradinaj theksoi se taksa ndaj mallrave serbe nuk do të hiqet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.
“Në muajin që vjen, pra në mes të tetorit është mundësia e votimit. Serbia na luftoi seriozisht për mos anëtarësim, ata kërcënonin edhe pjesëtarët e FSK-së. Ne vepruam me taksën, taksa do të mbetet deri në njohje”, ka thënë ndër tjera Haradianj.
Ai shtoi se tani në prag të zgjedhjeve janë qytetarët e Kosovës që mund të vendosin me votë se çfarë dialogu duan me Serbinë.
“Nëse duan një dialog me qartësi me pak të panjohura, voton koalicionin AAK-PSD, 100 për qind Kosovë. Pse pak të panjohura, unë e ndala dialogun e Mogherinit për ndarjen e Kosovës, e pamundësova epilogun e tij, e ktheva dialogun në tavolinë kredibile te Macron dhe Merkel. E mbrojtëm tregun tonë, dhe i kryem disa punë të rëndësishëm brenda Kosovës, si ushtria dhe finalizimi i procesit të Trepçës. Ne kemi nevojë për dialog me Serbinë për njohje reciproke brenda kufijve ekzistues”, tha ai.
Haradinaj është shprehur kundër propozimit të presidentit Thaçi për arritjen e një marrëveshje me Serbinë përmes ndryshimit të kufijve. Për këtë arsye ai vendosi taksën 100% për mallrat serbe, taksë e cila u kundërshtua ashpër nga faktori ndërkombëtar, dhe ndikoi në ndërprerjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Haradinaj vijon t’i qëndrojë vendimit për mbajtjen në fuqi të taksës për mallrat serbe derisa Serbia të njohë Kosovën. Pas zgjedhjeve të parakohshme të tetorit pritet që Kosova të ketë një qeveri të re, ndërsa Haradinaj vijon të jetë kandidat për kryeministër.