Kosova po rrezikon shumë, thotë Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, ndaj është koha që Albin Kurti si fitues i zgjedhjeve të formojë qeverinë ose të lëshojë rrugë. Ky është mesazhi që Haradinaj i ka dërguar Albin Kurtit të cilit i kërkon që të propozojë qeverinë e re të Kosovës ose t’i hapë rrugë opsioneve të tjera.
“Unë pres nga z. Kurti që t’i thërrasë ndërgjegjes së vet. Ose ta gjej formulën për të krijuar shumicën, në këtë rast me LDK-në, sepse unë s’jam palë e negociatave, ose të hapë rrugë. Të deklarojë çka i propozon Kosovës fituesi i zgjedhjeve në këtë rast. Le të deklarojë për çka është. A është për një qeveri teknike, a është për një qeveri tjetër, a është për të shkuar në zgjedhje. Por diçka duhet t’i thotë Kosovës nuk mund ta mbajë varur. Nuk po e them këtë me e zënë ngushtë Kurtin, sepse Kosova është e zënë ngushtë. Unë jam i detyruar t’i them këto për shkak se unë më së miri e di se jam kryeministër në detyrë dhe jam përgjegjës. Dhe unë po i tregoj z.Kurtit se nuk është mirë të vonohet. Të lutëm mos u vono, ose krijo shumicën, ose jepi epilog kësaj gjendjes. Sepse rrezikojmë më shumë sesa një parti. Pra rrezikojmë funksionimin e vendit”, tha Haradinaj. Sipas tij çdo vonesë në formimin e qeverisë do të ketë pasoja për vendin.
“Është e dëmshme kjo vonesë dhe shkakton dëme serioze në qeverisje dhe në kualitete të tjera të jetës. Pra duhet t’i japin një epilog gjendjes. Krejt Kosova pret nga Kurti dhe VV-ja epilog, cili do që të jetë ai. Por mbajtja e një gjendje në emër të një negocimi pa kufij nuk është veprim i mençur. Duhet të jetë i përgjegjshëm. Nuk jam palë e interesit në asnjë variant, por duke qenë kryetar qeverie në detyrë unë i shoh pasojat për Kosovën. Tani edhe unë kam frikë, jo pse unë s’dua të punoj, por kam frikë nëse kjo situatë vazhdon gjatë. Pra kam frikë për Kosovën jo për vete dhe AAK-në. Nëse fituesi i zgjedhjeve nuk e merr mandatin nuk i respekton afatet, pra nuk e kuptoj këtë gjendje. Kjo për mua është tepër e pakuptueshme. Përveç që është e pakuptueshme është edhe e rrezikshme. Mendoj që kjo qasja e z.Kurtit, vonesat, nuk janë në rregull”, tha Haradinaj.
Albin Kurti i Vetëvendosjes doli fitues në zgjedhjet e tetorit në Kosovë por që nga ajo kohë e deri tani, ai ende nuk ka formuar qeverinë e re pasi nuk ka arritur ende një marrëveshje me LDK-në partinë që doli e dyta fituese në zgjedhje.