Harta sizmike në Europë, Ballkani, një ndër më të rrezikuarit

AKTUALITET


Studiuesit europian kanë krijuar një hartë sizmike duke treguar vendet që janë më të prekura nga lëkundjet në kontinentin e Europës. Sipas hartës, rezulton se rajoni i Ballkanit, Mesdheut dhe Turqia, janë shumë më të rrezikuar nga tërmetet sesa pjesa tjetër e Europës.

Në krijimin e hartës studiuesit kombinuan të dhëna e më shumë se 30 000 tërmete të rënë me një magnitudë nga 3.5 e lart të regjistruara që prej vitit 1 000 dhe dëmet që ato kanë shkaktuar. Gjithashtu u përdoren dhe informacione nga Harta interaktive AHEAD e tërmeteve në kontinentin e vjetër. Të gjitha të dhënat u kombinuan në një hartë të vetme, ku zonat me rrezikun maksimal janë shënuar me një ngjyrë të purpurt të thellë, ndërsa të tjerët ku rreziku vjen pak më i ulët por sërish i konsiderueshëm, janë me të kuqe. Në këto zona, ekziston një probabilitet prej 10% apo edhe më i lartë, që tërmetet e fuqishëm të përsëriten brenda harkut të 50 viteve.

Ky projekt, i financuar nga BE, evidenton zonat më të rrezikuara si Ballkani, Italia, Greqia, Bullgaria, Rumania dhe Turqia.

“Europa ka një histori të gjatë tërmetesh shkatërrues”, tha profesori Domenico Giardini, koordinator i projektit. ‘Të gjithë i kujtojmë ngjarjet tragjike të Izmirit në Turqi, në vitin 1999 dhe ato të Akuilës në Itali në 2009-tën e 2016-tën, ku pati një numër të madh viktimash”, ka shtuar ai.

Një nismë e tillë është e dobishme për politikat e së ardhmes, që kanë të bëjnë me llojet e ndryshme të ndërtesave dhe infrastrukturës siç janë digat, ndërtesat e larta apo edhe urat.



Skip to toolbar