Hasani vizitë në Shkup: Faktori shqiptar, rol të jashtëzakonshëm për ruajtjen e stabilitetit

Më të fundit


Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut ku është pritur nga homologu i tij Bujar Osmani.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, ministri Osmani vlerësoi punën e Maqedonisë së Veriut në kryesimin e OSBE-së për vitin 2023.


Po kështu vlerësoi ecurinë në rrugën drejt Bashkimit Europian si të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut.

“Më lejoni që në krye të herës ta përgëzoj Bujarin për lidershipin e shkëlqyer që ka treguar gjatë kryesisë së OSBE-së nga RMV. Kryesimi i OSBE-së në vitin 2023 ishte padyshim një detyrë sfiduese sepse e vërteta është që prej fillimit të agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës OSBE ka ndryshuar shumë. Nuk ka dëshmi më të qartë të punës së mirë që keni ditur të bëni sesa fakti që pavarësisht bllokimeve e ngërçeve të krijuara nga Rusia në OSBE, ia dolët të keni një mandat të suksesshëm. Performanca e Maqedonisë së Veriut në OSBE dhe e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB e më herët në OSBE, janë treguesi më i pakundërshtueshëm i pjekurisë që ka arritur politika e jashtme e vendeve tona. Një politikë e jashtme, e cila tashmë duhet vënë më shumë se kurrë në dispozicion të agjendës sonë të përbashkët për një rajon me paqe, siguri e stabilitet, me më shumë integrim e bashkëpunim rajonal, por edhe me më shumë përafrim drejt BE.

Është pikërisht ky synim, për të punuar së bashku për këto objektiva, që i dha shkas kësaj vizite dhe këtij turi edhe në vende të tjera të rajonit. Sigurisht, në këtë kontekst vizita në Maqedoninë e Veriut ka një rëndësi të posaçme. Të dy vendet tona kanë treguar një përkushtim të jashtëzakonshëm në rrugën drejt BE. Të dy vendet tona kanë arritur rezultate mbresëlënëse në reformat modernizuese e europianizuese. Ne sapo kemi përfunduar me sukses procesin e screening dhe jemi në pritje të hedhjes së hapave të mëtejshme në një proces për të cilin të dy vendet tona kanë bërë shumë sakrifica dhe gjatë të cilit jemi përballur me ngërçe e pengesa jo të lehta.

Një nga projektet më madhore e më transformuese për të cilin jemi duke punuar, bashkë me Italinë e Bullgarinë, por edhe me mbështetjen e partnerëve të tjerë, është padyshim Korridori i VIII-të, i cili tashmë, pas dekadash këmbëngulje nga vendet tona, nuk është më thjesht një projekt në letër, por pjesë e Korridoreve Pan-europiane. Ky korridor, do të transformojë pozitën strategjike të vendeve tona, por do të transformojë njëkohësisht edhe ekonomitë tona e perspektivën tonë të zhvillimit”.

Ministri Hasani vlerësoi edhe rolin e faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duke thënë se është kyç në ruajtjen e stabilitetit të vendit, por shprehu gjithashtu mbështetjen e Shqipërisë për partitë shqiptare.

“Shqipëria do vijojë të ndjekë me shumë vëmendje zhvillimet në RMV sidomos në një vit zgjedhor si ky, ku në pranverë do të mbahen zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare. Ne urojmë që ky proces të ecë mbarë, por mbi të gjitha urojmë që ky proces e rezultati i tij të mos sjellë asnjë ndryshim në përkushtimin ndaj perspektivës së përbashkët europiane. Në këtë kontekst, unë dua të theksoj krenarinë tonë për rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur e vazhdon të luajë faktori shqiptar për stabilitetit e Maqedonisë së Veriut; për forcimin e lidhjeve mes vendeve tona për të cilat faktori shqiptar ka shërbyer si një urë lidhëse; e mbi të gjitha, për ruajtjen e orientimit euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut gjatë një rrugëtimi që siç e thashë ka qenë i vështirë, e ka kërkuar sakrifica jo të lehta.

Shqipëria ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë angazhimin konstruktiv të subjekteve politike shqiptare dhe shqiptarëve në RMV në procesin politik dhe në përpjekjen për të konsoliduar sundimin e ligjit, demokracisë, kohezionin social dhe barazinë mes të gjithë qytetarët”.

Ministri Hasani vlerësoi edhe faktin që për herë të parë Maqedonia e Veriut do të ketë përkohësisht për 100 ditë një Kryeministër shqiptar.




Skip to toolbar