Heqja e mbishkrimeve shqip nga tabelat, Mickoski: Pjesë e planit për destabilizimin nga strukturat kriminale

BOTA


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski thotë se tabela pa mbishkrimin shqip në pikën kufitare Bllacë është pjesë e planit për destabilizim. Ai theksoi se përgjegjësia për këtë veprim nuk bie te institucionet por te strukturat kriminale që për vite me radhë janë pasuruar në dëm të qytetarëve.

“Cili institucion është nuk e di, mendoj se nuk është institucion, por se është pjesë e atij planit për destabilizim të atyre strukturave kriminale që në vitet e kaluara u pasuruan në kurriz të qytetarëve. Të atyre kriminelëve politik që pak nga pak kanë luajtur me institucionet, kanë dhënë licenca për videolotari të joligjore, lotari online dhe kështu me radhë. Mendoj se ata tani janë të frikësuar sepse e dinë, marrin informacione se si ngadalë hetimi afrohet drejt tyre dhe ata të frikësuar tani reagojnë në këtë mënyrë, tentojnë ta destabilizojnë shtetin por, nuk kanë sukses“, tha Mickoski.

Nga ana tjetër, Arben Taravari nga Vlen u shpreh se ngjarja është dramatizuar dhe se kishte për qëllim shmangien e vëmendjes nga vendimi i Gjykatës së Apelit që t’i kthejë vulat e partisë, krahut të Taravarit.

Të shtunën opozita shqiptare reagoi për heqjen e tabelave në gjuhën shqipe nga vendkalimet kufitare dhe zëvendësimimin e tyre me të reja, të cilat ishin vetëm në gjuhën maqedonase, angleze dhe frenge. Tabelat u hoqën dhe u kthyen përsëri me mbishkrim shqip./abcnews.al



Skip to toolbar