Heroi antivetting del vetë në vettting

AKTUALITET


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka publikuar listën e re me emrat e 48 gjyqtarë dhe prokurorë, që do t’i nënshtrohen ligjit të Vettingut dhe ajo që bie në sy është edhe emri i gjyqtarit Ken Dhima, i cili që në fillimet e vettingut, e ka sulmuar ashpër këtë proces, duke e konsideruar si një vepër e George Soros.

Këto deklarata, ai i ka bërë në mbledhjen e KLD, që në atë kohë drejtohej nga Ilir Meta, kur ndaj kishte nisur procesi i shkarkimit për disa shkelje që pretendonte Ministria e Drejtësisë. Por, KLD, në atë kohë e mbrojti Dhimën, duke mos e shkarkuar, i cili më herët ka ndryshuar edhe emrin. Konkretisht në mbledhjen e KLD, më 7 maj 2018, Ken Dhima ishte thirrur për të dhënë sqarime në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për disa shkelje të pretenduara nga Ministria e Drejtësisë.

“Me një korrespondencë time me Kryeinspektoren e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kam thënë që, një prej shkaqeve të vonesës është edhe Vetingu, bërja e dokumenteve, etj. E kam quajtur ‘Vetingun Sorosian’. Dhe ministrja më thotë mua që ti s‘ke të drejtë të mendosh. Por edhe Marksi thoshte, – ‘mendimet s’kanë doganë”. Sorosi është një rrjetë e zezë që ka pushtuar Evropën dhe Shqipërinë dhe reformën në drejtësi.”, është shprehur Dhima në mbledhjen e KLD. Aty ka ndërhyrë Meta, duke u shprehur se “Ç’lidhje ka tani? Bëjmë politikë këtu?”. Këshilli i Lartë i Drejtësisë refuzoi të shkarkonte një gjyqtar të Gjykatës Administrative Vlorë, i cili në mënyrë diskredituese për figurën dhe pozitën e gjyqtarit, kishte plot 212 vendime gjyqësore të arsyetuara me vonesë. 85 prej këtyre vendimeve janë arsyetuar përtej një afati pesë mujor nga data e shpalljes dhe disa prej tyre edhe pothuajse me një vit vonesë, duke cenuar rëndë interesat e qytetarëve të përfshirë në proceset e mbetura në dorën e këtij gjyqtari.

Gjyqtari Ken Dhima, rezulton të ketë ndryshuar emrin dhe mbiemrin. Në formularin e vetëdeklarimit Ken Dhima deklaron se emri i tij i parë ka qenë Krenar Gjoka.

Më herët Dhima është akuzuar nga ILDKP bashkë me të shoqen, gjyqtarja Klorinda Çela, për fshehje të pasurisë, ndërsa janë proceduar nga Prokuroria. Por, ata i shpëtuan shkarkimit. Gjatë muajve në vijim, ai pritet të përballet me vettingun dhe sesi do të argumentojë problemet gjatë karrierës së tij. Realstory.al



Skip to toolbar