Hetim bosit të naftës, peng biznesmenin në zyrë dhe e dhunoi

AKTUALITET


Frident Kuqi, pronari i një kompanie karburantesh në Shqipëri, po hetohet nga Prokuroria e Tiranës për “Heqje të paligjshme të lirisë” dhe “keqtrajtim personi”. Njeriu që listohet nga disa studime, si një ndër personat më të pasur në Shqipëri, është përfshirë në një ngjarje kriminale, ku Kuqi së bashku me shtetas të tjerë ende të paidentifikuar, rezulton të kenë dhunuar rëndë dhe marrë peng, pronarin e një karburanti në qytetin e Përmetit, 60-vjeçarin Gëzim Ibrahimi.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në afërsi të komisariatit nr.1 në Tiranë, ku Kuqi ka thirrur dhe më pas dhunuar në zyrën e tij, Gëzim Ibrahimin, pronarin e një pike karburanti në Përmet, me të cilin Frident Kuqi, është përfshirë në një konflikt për qiranë e karburantit që Kuqi ka marrë në Përmet.

Policia e ka regjistruar ngjarjen në datën 3 tetor dhe një prokurore në prokurorinë e Tiranës është duke kryer hetime në ngarkim të oligarkut të naftës Frident Kuqi, për akuzën e “Heqje të paligjshme të lirisë” dhe “Keqtrajtim personi”.

Gëzim Ibrahimi, nga keqtrajtimi ka pësuar dëmtime serioze në pjesën e pasme të kokës, në njërin krah dhe në trup. Por sikur të mos mjaftonte dhuna barbare e shkaktuar nga Frident Kuqi, ky i fundit ka vijuar të verë në zbatim edhe një plan tjetër.

Me ndihmën e tre personave të tjerë, ende të paidentifikuar Frident Kuqi e ka marrë peng Gëzim Ibrahimin, duke ushtruar presion psikologjik mbi të, e duke e çuar tek noteri, për të firmosur një deklaratë noteriale, ku 60-vjeçari Ibrahimi të pranonte dhe të firmoste se i kishte një detyrim financiar prej 30 milionë lekësh të vjetra biznesmenit të naftës Frident Kuqi, shumë kjo që sipas Kuqit ishte nxjerrë nga shpenzimet financiare që ai kishte bërë në pikën e karburantit.



Skip to toolbar