Një ditë pas paraqitjes së të vëllait Zabit Deda, mëngjesin e sotëm është paraqitur në SPAK Agim Deda, vëllai tjetër i Hekuran Dedës, i cili u vra në 21 janar të vitit 2011 para godinës së Kryeministrisë.
Zabit Deda dha për gati një orë dëshminë e tij para prokurorëve të SPAK, që po hetojnë “21 janarin”.
“Ato që na kërkuan i thamë. Shpresojmë se do zbardhet”, tha Zabit Deda në një deklaratë për mediat.
Sot në SPAK u paraqit vëllai i tij, Agim Deda, po për llogari të hetimeve për vrasjet gjatë protestës së opozitës së asaj kohe në bulevard.
Njëlloj si në rastin e të vrarit tjetër, Aleks Nika, vrasja e Hekuran Dedës është një ngjarje e pa zbardhur. Në gjykimin e parë të dosjes “21 janari” për vrasjen e tij u akuzua gardisti Agim Llupo, por Apeli i kryeqytetit e zhveshi nga kjo akuzë, duke e lënë pa autor të dyshuar vrasjen e Dedës.
SPAK regjistroi hetim për “21 janarin” korrikun e vitit të shkuar, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Lartë. Kjo gjykatë detyroi Strukturën e Posaçme të hetojë një kallëzim të bashkëshortes së Aleks Nikës kundër ish-kryeministrit, Sali Berisha, ish-ministrit të brendshëm, Lulëzim Basha dhe ish-kreut të Gardës, Ndrea Prendi, të cilët i akuzon për “vrasje në rrethana cilësuese”, “shpërdorim të detyrës” dhe “veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”.
Gjatë një takimi informal me gazetarët gjatë javës së shkuar, kreu i SPAK, Altin Dumani, tha se për këtë dosje po kryhen veprime hetimore intensive.