Hiqet kontrolli fizik i makinës, Gonxhe: Ulen edhe kostot

AKTUALITET


Kontrolli fizik i automjeteve tashmë nuk do të jetë i detyrueshëm në një sërë procedurash që kryhen pranë drejtorisë së shërbimit dhe transportit rrugor.

Kreu i kësaj drejtorie Blendi Gonxhe në një intervistë për Vizion Plus thotë se janë rreth 194 mijë praktika që realizohen në vit në sportele që tashmë me udhëzimin e ri të miratuar nga Ministria e Transportit nuk do të kryhen më.

Kjo do të thotë që qytetarët do të shmangin jo vetëm pagesën prej 1500 lekësh që kushtonte ky shërbim, por do të reduktojnë edhe kohën e pritjes.

Ne i heqim vetes tonë rreth 2 miliardë lekë të vjetra në vit, duke eliminuar 194 mijë praktika të tilla, siç janë rastet kur ndryshon lejen e qarkullimit, shitjen e automjetit etj. Kjo do të thotë që ne i kursejmë qytetarëve 117. 2 milionë minuta përgjatë një vitit. Nga ana tjetër ne lirojnë nga barra e madhe e procedurave edhe sportelet tona, me synim ofrimin e një shërbimi më të mirë për qytetarët.

Por një tjetër lehtësim është edhe praktika e ndërrimit të pronësisë së automjetit. Prej disa muajsh kjo procedurë, vetëm në rastet e kontratave të thjeshta kryhet pranë sporteleve të DPSHTRR, duke shmangur hallkën e noterit.

Edhe në këtë rast, procedura do të kushtojnë 1400 lekë, kundrejt një tarife gati tre herë më të lartë që aplikon noteri.

Udhëzimi i ri synon krijimin e një sporteli të vetëm ONE STOP SHOP në mënyrë që qytetarët të reduktojnë ecejaket në zyrat të tjera, duke e bërë sistemin automatik. Por jo vetëm.

DPSHTRR thotë se ka infrastrukturën e nevojshme që të ofrojë këto shërbime me qëllim reduktim e informalitetit, apo shmangien e gabimeve të ndryshme.



Skip to toolbar