Pas bërjes publike të historisë së Alvi Berishës nga televizioni italian kanë ardhur një sërë reagimesh për fëmijët shqiptarë që jetojnë në kampet e ISIS në Siri.
Myftiu i Shkodrës imam Muhamed Sytari ka reaguar duke i bërë apel shtetit dhe diplomacisë që të veprojnë dhe të kthejnë në Shqipëri shumë fëmijë që kanë shkuar atje bashkë me prindërit të cilët u gënjyen nga propaganda false dhe tani rrezikojnë jetën në Siri.
“Familjet e shqiptarëve të gënjyer apo të mashtruar nga propaganda false të atyre ditëve të kthehen një orë e më parë në vendin e tyre sepse nuk kanë faj fëmijët e tyre për gabimet e prindërve dhe normalisht diplomacia me të gjitha format duhet të interesohet dhe të luajë një rol vendimtar qoftë edhe për kthimin e një fëmijë dhe çdo fëmijë por edhe çdo shqiptar është i shenjtë për tokën tonë dhe ne si komunitet fetar i qëndrojmë thirrjeve tone dhe nuk tërhiqemi as nuk e ndryshojmë thirrjen tonë për asnjë arsye sepse është një thirrje e drejtë dhe ajo që ka ndodhur në Siri gjatë këtyre viteve është një zullum i madh të cilin nuk e kemi dëshiruar dhe nuk e pranojmë dhe nuk e pranon asnjë mendje e shëndoshë”, tha imami.
Për rastin e Alvi Berishës reagoi edhe Kryeministri Edi Rama i cili tha se shteti shqiptarë ka bërë të gjitha përpjekjet për ta marrë fëmijën dhe se ka biseduar me babain e tij dhe ia ka shpjeguar situatën, por kjo çështje nuk varet nga shteti shqiptar, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Rama tha se qeveria është duke punuar me partnerët ndërkombëtarë për të larguar nga kampet e ISIS gratë dhe fëmijët shqiptarë.
“Dua të ndaj sot një shpjegim lidhur me një shqetësim që kam marrë prej një numri të konsiderueshëm bashkëqytetarësh në Itali, këtu, apo edhe në vende të tjera, mbi një emision të mbrëmshëm të RAI-t, kushtuar një të mituri shqiptar në një kamp në Siri. Për fat të keq ai emision drithërues sipas të gjitha përshtypjeve të marra, unë vetë nuk e kam ndjekur, ka lënë të kuptohet se çështja e djalit të mitur është një çështje thjesht vullneti nga ana e ambasadës tonë në Turqi, apo e Ambasadorit.
Kjo është tërësisht e pavërtetë. E vërteta është që prej disa kohësh unë kam nxjerrë një urdhër, një material i klasifikuar që nuk mund ta ndajmë dot me publikun për shkak të sensibilitetit të lartë lidhur me personat që gjenden në atë territor si pasojë e përfshirjes së burrave në një luftë për të tjerë, në funksion të organizatës terroriste dhe kriminale ISIS.
Shqetësimi ynë ka qenë i lidhur me nevojën për të aksesuar pikërisht këto kampe, ku ka një numër grash dhe fëmijësh.
Në bashkëpunim me partnerë amerikanë, ne kemi zhvilluar një proces të tërë identifikimi dhe disponojmë të dhëna mbi identitetin e shumë prej personave, por janë të dhëna shumë sensitive për shkak se ata njerëz janë të rrezikuar në jetën e tyre në mënyrë të përditshme. Tërheqja e tyre nga ato kampe nuk bëhet as nga ambasada, as ambasadori, sepse aksesi dhe gjithë procesi është tejet i komplikuar dhe kërkon një koordinim me partnerët. Ne kemi punuar intensivisht, kemi një plan të tërë veprimi të rakorduar me partnerët tanë kryesorë. Ka një sërë grupesh të përfshira në këtë proces. Nuk mund të ndaj më shumë informacione, por dua t’i them të gjithëve se po të ishte një çështje ambasadash apo ambasadorësh edhe vendet e tjera do të kishin tërhequr individët dhe në radhë të parë gratë dhe fëmijët, që janë viktima të drejtpërdrejta të zgjedhjeve të gabuara të prindërve apo të afërmve, që janë të përfshirë në një situatë dramatike që nuk është zgjedhja e tyre”, – tha Rama.
Duke shprehur gjithë keqardhjen, Kryeministri tha se “kjo është e vërteta dhe se së fundmi situata është edhe më e komplikuar”. “Ju e dini shumë mirë se në atë territor ka një situatë përplasjeje luftarake. Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën që kemi bërë dhe siç e thashë jemi në koordinim të plotë më partnerët. Ju e patë besoj edhe një thirrje që u bëri Presidenti i SHBA-së vendeve europiane për të tërhequr njerëzit. Asnjë vend deri më sot, përfshi edhe Italinë fqinje ku është transmetuar ky emision dramatik, nuk ka bërë tërheqjen e njerëzve, sepse është një operacion vërtetë i komplikuar”, – tha Rama.
Sidoqoftë, Kryeministri siguroi se “fokusi ynë ka qenë qysh në fillim dhe mbetet tek gratë, të miturit dhe në bashkëpunim me partnerët si SHBA dhe po ashtu edhe me autoritetet turke, ne kemi arritur të grumbullojmë jo pak informacion. Kemi arritur të organizojmë kontakte dhe një plan për nxjerrjen e tyre nga kampet, si dhe është përgatitur gjithë infrastruktura e nevojshme për transportimin e tyre dhe një plan specifik masash për trajtimin e tyre pastaj këtu në Shqipëri”, – tha Rama.
Historia e Alvi Berishës u transmetua nga emisioni “Le Iene” në “Italia 1”.