Arbitrimi shqiptar vazhdon të ngjisë shkallët në arenën ndërkombëtare dhe së fundmi një lajm i mirë vjen nga UEFA.
Për herë të parë në histori, një arbitre shqiptare do të drejtojë një ndeshje të UEFA Women’s Champions League.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se Emanuela Rusta do të gjykojë takimin SL Benfica W – Barcelona W, e vlefshme për raundin e gjashtë të UEFA Women’s Champions League, ndërsa një nga ndihmëset e saj do të jetë po një shqiptare, Edjena Kapxhiu në rolin e asistentes së parë.
Ndeshja, SL Benfica W – Barcelona W është programuar të luhet në Seixal të Portugalisë më datë 31 janar, prej orës 21:00.
Emanuela Rusta dhe Edjena Kapxhiu janë të pajisura me stemën e FIFA-s, ndërsa në qershorin e vitit 2023 Rusta u bë arbitrja e parë femër e promovuar nga Komiteti i Arbitrave në UEFA, duke u ngjitur në kategorinë e parë.
Deri më tani, Emanuela Rusta dhe Edjena Kapxhiu kanë drejtuar vetëm në sfidat kualifikuese, ndërsa të mërkurën në mbrëmje do të shkruajnë historinë duke drejtuar një ndeshje grupi në UEFA Women’s Champions League.