Historiku i amnistisë fiskale, çfarë thanë në 20 vite politikanët nga Rama te krerët e PD

AKTUALITET


Amnistia fiskale nuk është një term i ri në diskursin politik dhe ekonomik të Shqipërisë. I pari që ka hedhur idenë e faljes të të gjitha detyrimeve dhe formalizimin, ose thënë më thjesht “nisjen nga viti 0”, ka qenë Presidenti Rexhep Meidani, në vitin 1999.

Edhe pse ai këmbënguli në këtë nismë, ajo nuk u mor parasysh nga qeveria e kohës. Por, kishte zëra të fuqishëm pro saj. Një prej tyre, Shkëlqim Cani, në atë kohë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, i cili e mbështeti atë ide.

“Presidenti ka hedhur idenë, e cila duhet zbërthyer nga Ministria e Financave dhe jo nga Banka e Shqipërisë, por si specialist unë e përkrah këtë ide duke e nënkuptuar amnistinë fiskale siç është. Sipas meje nga debatet që janë bërë ajo është keqinterpretuar. Në të duhet theksuar se në çfarë date do të fillojë, çfarë periudhe kohore do të përfshijë etj. Gjithashtu, mund të ketë një interpretim se do të falen paratë e fituara nga veprimtaritë kriminale. Por, këtu mund të saktësohet se, përjashtohen fitimet nga pastrimi i parave, droga etj.

Pra, nuk është e thënë që një amnisti nënkupton medoemos që të gjitha, varet se çfarë dëshiron shteti që të falë. Sipas mendimit tim, në amnistinë fiskale dominon ana pozitive, ndërkohë, kërkohet edhe marrja e një sërë masave për t’u zbatuar si forcimi i rendit, lufta kundër korrupsionit dhe kontrabandës, ulja e taksave doganore. Pra, bëhet fjalë për forcimin e shtetit, për zbutjen e disa shpenzimeve”, ka thënë Cani më 1999.

Por, kishte dhe zëra që ishin kundër, jo vetëm ndaj kësaj amnistie, por çfarëdo amnistie që mund të bëhej në Shqipëri.

“Unë do të isha kundër çdo amnistie fiskale që mund të propozohej në Shqipëri, pavarësisht ngjyrave me të cilat ajo mund paraqitet si alternativë për të thithur kapitalet financiare të fjetura brenda dhe jashtë vendit. Shqipëria nuk ka institucione financiare, bankare, tatimore, për të kontrolluar dhe evituar që amnistia fiskale të mos kthehet në një parajsë të pastrimit të parave të kontrabandistëve, trafikantëve e krimit të organizuar. Shqipëria e ka institucionin e hetimit, Prokurorinë, mjaft të dobët dhe pa eksperiencë në hetimin e krimit ekonomik, pastrimin e parave dhe veprave të tjera penale që lidhen me fushën e financave dhe paranë”, ka deklaruar Edmond Spaho, më 2002.

Por duket se Spaho, i cili në kohën kur kishte bërë këtë deklaratë ishte në opozitë, me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike, do duhej të ndryshonte mendim. Në vitin 2011, Sali Berisha propozoi amnistinë fiskale.

Dhe Edmond Spaho, 9 vite pasi e kundërshtoi amnistinë, e mbronte me force, nga pozita e kryetarin të Komisionit të Ekonomisë.

Por, në atë kohë ishte Partia Socialiste, në opozitë, ajo që e kundërshtonte këtë amnisti.

Por, pavarësisht kundërshtisë së opozitës dhe mungesës së votave, Amnistinë fiskale qe kerkonte 84 vota, Qeveria e ktheu ne nje ligj, i cili miratohet me shumice te thjeshte. Një ditë më pas, Ridvan Bode, ministri i kohës i financave, me mburrje deklaronte se ligji kishte të gjitha masat që kjo amnisti të jetë e suksesshme.
Me kalimin e muajve, serish Ridvan Bode do duhet të pranonte se amnistia kishte dështuar, por për faj të opozitës.

Por Edi Rama, kryetari i opozitës, i cili në atë kohë përgatitej për zgjedhjet vendore, te cilat do të hynë në histori për mënyrën se si shkuan, kishte një tjetër argument për dështimin e amnistisë.

“Amnistia fiskale dështoi sepse nuk u bë për biznesin shqiptar. Amnistia fiskale u bë për bizneset e pushtetit. Vetëm programi ynë e garanton sipërmarrjen”, është shprehur Edi Rama, më 2011.

E si per ironi, edhe Edi Rama, ashtu si Edmond Sapho, ekzaktësisht 9 vite pasi e kundërshtojë atë, tashmë do duhet ta mbrojë me forcë dhe ndoshta të plotësojë të njëjtat kërkesa që ai vet ka artikuluar kur ishte në opozitë.



Skip to toolbar