Homo Economicus dhe origjina e parasë

BOTA


Askush nuk e di me saktësi se ku, si dhe pse filluan të përdoren paratë, kështu që njerëzit janë të lirë të krijojnë histori. Qëllimi kryesor i rrëfimtarëve ka qenë të sqarojnë, duke iu referuar një të shkuare hipotetike, natyrën e parasë në kohën e tyre. Dy histori të tilla kanë dominuar literaturën e parasë. Rrëfimi i shekullit të tetëmbëdhjetë i Adam Smith-it u përpoq të shpjegonte pse paratë përbëheshin nga ari dhe argjendi. Teoria chartaliste, që daton nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, u përpoq të shpjegonte pse paratë përbëheshin kryesisht nga kreditë. Këto mund t’i quajmë teoria e metalizmit dhe teoria e kreditit.

Historia e Adam Smithit, e cila shkon prapa në kohë deri tek Aristoteli, është ende libri i preferuar i teksteve shkollore. Është padyshim historia më e lehtë për t’u kuptuar, e cila është edhe arsyeja për popullaritetin e saj. Para parave, pretendohet se ka pasur shkëmbime – shkëmbime të drejtpërdrejta të mallrave me mallra. Por shkëmbimi kërkon një ‘përkim të dyfishtë’ të dëshirave. Të dy partnerët duhet të duan atë që tjetri ka, në të njëjtën kohë. Kështu, paratë u shpikën për t’i mundësuar njërës nga palët të paguajë tjetrën në diçka që tjetra mund ta përdorte për të blerë diçka tjetër. Adam Smithi hamendësoi se ajo “diçkaja” që u bë “mjet këmbimi” duhet të ketë qenë “një lloj malli të cilin pak njerëz do të ishin të gatshëm ta refuzonin, në këmbim të asaj që prodhonin vetë”.

“Megjithëse përdoreshin bagëtitë, kripa, guaskat e të ngjashme me to, metalet, dhe veçanërisht metalet e çmuara si ari dhe argjendi, filluan të preferoheshin, për shkak të ndashmërisë së tyre, por edhe më shumë për qëndrueshmërinë dhe faktin që ishin të rrallë. Ishin këto cilësi që iu përshtatën atyre, për të qenë matësi i gjërave që prishen.

Në fillim mjaftuan shufrat e hekurit, bakrit, arit dhe argjendit, për shkak të stabilitetit më të madh relativ të vlerës. Për të shmangur nevojën për të peshuar një copë metali për çdo transaksion, u bë zakon që të vendoset një vulë publike në sasi të caktuara metalesh, duke vërtetuar peshën dhe cilësinë e tyre. Thelbi i kësaj fabule është se megjithëse ishte e përshtatshme të bëheshin kontrata në para, prapa “perdes” së kontratave kishte gjëra reale që tregtoheshin me për njëra-tjetrën kundrejt çmimeve të tyre reale”.

Teoria e shkëmbyesit “të egër” i detyrohet shumë antropologjisë klasike të kohës së Adam Smithit, në qendër të së cilës është figura e Homo Economicus, i cili ndjek interesat e veta personale në izolim nga shoqëria. Që kjo ende qëndron në themel të psikologjisë neoklasike, bëhet e qartë në librin e famshëm të Paul Samuelson, ku shkruhet: ‘Një borxh i madh mirënjohjeje u detyrohet dy majmunëve të parë, të cilët papritmas kuptuan se secili mund të përmirësohej duke hequr dorë nga disa të mira, në këmbim të disa të tjerave. Shumica e ekonomistëve kanë favorizuar rrëfimin e shkëmbimit mes njerëzve të egër, sepse ai lë jashtë shoqërinë dhe qeverinë.

Në të kundërt, historia e kredisë, e cila hodhi rrënjë në fund të viteve 1800, thotë se jeta e parasë ka nisur si një kontratë borxhi – një premtim për të paguar në të ardhmen, për diçka të blerë sot. Besueshmëria e premtimit varet nga besimi tek debitori. Por besimi nuk i jepet një të huaji, prandaj është ekzistenca e një lidhjeje shoqërore ajo që i bën të mundur paratë. Gjuha e parasë është gjuha e premtimeve: ‘fjala ime është lidhja ime’. Siç shkruan Alfred Innes: “Duke blerë ne bëhemi debitorë dhe duke shitur bëhemi kreditorë.’

Teoria e parasë si kredi nuk e prish automatikisht dikotominë klasike, nëse supozohet se kredia është thjesht një paradhënie mbi paranë, e cila në vetvete është një paradhënie për mallrat. Por ajo e dobëson shumë atë duke i vendosur pritshmëritë në qendër të transaksioneve “reale”.

“Kjo mosmarrëveshje në dukje e rikonstruktuar rreth origjinës së parasë pasqyron një divergjencë të thellë mbi qëllimin e saj. A duhej menduar paraja kryesisht si një mjet për të realizuar dy transaksione të ndara në kohë? Apo duhej gjithashtu, dhe në mënyrë të veçantë, të shihej si një lidhje midis së tashmes dhe së ardhmes? E para çoi në pikëpamjen se e vetmja kërkesë e rëndësishme për paranë ishte si një “mjet pagese”; e dyta se roli i saj i rëndësishëm ekonomik ishte si një “mbajtëse e vlerave”. Ishin motivet e mbajtjes së parave pavarësisht nga dëshira për mallra – preferenca pozitive për likuiditet – ato që “i interesonte Keynesit. “Fetishi për likuiditetin”, arsyetonte ai, mund të ketë vetëm një shkak: pasigurinë për të ardhmen.

Sepse nëse të gjithë do ta dinin me siguri se çfarë do të sillte e nesërmja, nuk do të kishte asnjë arsye racionale për grumbullimin e copave të metalit ose të copave të letrës. Në fakt, nuk do të kishte fare nevojë për para. Pra, mosmarrëveshja për origjinën e parasë ishte, në thelb, një mosmarrëveshje epistemologjike: sa të parashikueshme ishin ngjarjet e ardhshme?

Shkëputur nga libri: “Paraja dhe Qeveria: E shkuara dhe e ardhmja e Ekonomisë” – Në shqip nga bota.al



Skip to toolbar