Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë të enjten në Bruksel se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka alternativë dhe se Kosova, sipas tij, ka një maturi të duhur institucionale për të tejkaluar çdo situatë me të cilën përballet.
Ai gjatë udhëtimit në Bruksel, më 25 qershor, do të takojë liderët e dy institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian, ndërkohë që ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në takimin e Uashingtonit, ku ishte planifikuar të riniste dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit më 27 qershor.
“Çështjet që lidhen me drejtësinë, siç ishte vendimi i djeshëm, unë besoj se nuk duhen të komentohen, por besoj se duhen të respektohen plotësisht. Unë besoj se si Kosovë kemi tani një maturi insitucionale për t’u marrë dhe për të tejkaluar çfarëdo situate”, ka thënë ai.
I pyetur se pse nuk ka shkuar në Uashington, pasi e ka mandatin dhe platformën për dialog, dhe çfarë e shtyri të anulojë këtë vizitë, Hoti ka thënë se ka pasur konsultim me Grenellin, të cilit i ka propozuar shtyrjen e këtij takimi për një ditë tjetër, për shkak të zhvillimeve që kanë ndodhur një ditë më parë.
Kryeministri i Kosovës, në Bruksel, është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe me shefin e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David Mec Allister. Më vonë do të takohet edhe me Kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula van der Leyen dhe me Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Verhelyi.
Hoti ka thënë se në këto takime ka treguar përkushtimin e Kosovës dhe qeverisë së re për agjendën e integrimit evropian që ka Kosova.
Si çështje kryesore, ai ka thënë të ketë qenë ajo e liberalizimit të vizave.
“Kemi plotësuar të gjitha kriteret dhe kemi si qeveri një fokus të fuqishëm në rend, ligj dhe në transparencë”, është cituar të ketë thënë ai.
Ai pret që Bashkimi Evropian të vlerësojë këto kritere dhe t’ua mundësojë shtetasve të Kosovës lëvizjen e lirë. (REL)