Hoti nis procedurat për ambasadën në Izrael

KOSOVA


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka dhënë pëlqimin e tij për të dërguar te Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kërkesën për hapje të misionit diplomatik në Izrael.

Ai i ka bërë këto komente pas takimit konsultativ me Ministrën për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Meliza Haradinaj Stublla.

“Kryeministri theksoi se Izraeli është partner strategjik i Kosovës dhe se vendosja e marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve vjen si rezultat i marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë”, është thënë në komunikatën për media të kryeministrisë.

Kryeministri Hoti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump.

Njohja reciproke midis Kosovës dhe Izraelit është e përfshirë në këtë marrëveshje.

Sipas këtij dokumenti, Kosova është zotuar se do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe se do ta hapë misionin e saj diplomatik në Jerusalem, ndërsa Serbia është zotuar se do ta zhvendosë ambasadën e saj ekzistuese në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem./REL



Skip to toolbar