Hoxha mbledh vartësit, pasuesi i kryepolicit do kalojë në disa filtra

AKTUALITET


Muhamet Rrumbullaku ka dhënë dorëheqjen nga kreu i Policisë së Shtetit dhe këtë kërkesë ia ka dorëzuar Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha. Sipas informacioneve pritet që vendin e tij si i komanduar në krye të Policisë ta zërë Sokol Bizhga.

Aktualisht Bizhga është zëvendësdrejtor dhe pritet të qëndrojë në këtë pozicion deri në zgjedhjen e drejtorit të ri me konkurs.

Ndërkohë, Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha do të mbledhë paraditen e kësaj të premteje të gjithë vartësitë e tij, drejtuesit e policive në qarqe, drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit si edhe drejtorët e departamenteve.

Në mbledhje pritet të jetë edhe Rrumbullaku pavarësisht se ka dorëzuar dorëheqjen e tij nga kupola e Policisë së Shtetit.

Muhamet Rrumbullaku u emërua në krye të Policisë së Shtetit më 7 shtator 2022, duke zëvendësuar në këtë post Gledis Nanon.

Kandidatët që pritet të marrin drejtimin e Policisë së Shtetit do duhet të kalojë në disa filtra të hollësishme, duke përmbushur dhe një sërë kriteresh.

Disa prej kushteve që duhet të plotësojë kandidati për t’u zgjedhur në krye të Policisë së Shtetit
1-  Mban njërën nga gradat e rolit të mesëm drejtues;
2-  Të ketë shtetësi shqiptare;
3- Të mos ketë qenë i dënuar për kryerjen e një vepre penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë;
4- Të mos ketë marrë masat disiplinore brenda 5 vjetëve të fundit
5- Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse.
6- Të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, në përputhje me legjislacionin për konfliktin e interesit.



Skip to toolbar