Hungaria ringjall sherrin në PD. Fitorja e të djathtit liberal Magyar përballë të djathtit konservator Orban ironikisht është shndërruar në një pasqyrë të betejës sot në selinë blu.
Me një ditë vonesë, por Sali Berisha uroi fitoren e të djathtit liberal në Hungari. Dhe pse elozhet e mëdha i kishte për mikun e tij konservator, Viktor Orban.
Orban me Berishën i bashkonte MAGA, tani humbja, kurse me Ramën i bashkojnë 4 mandatet. Por Berisha e ndan Orbanin nga Rama.
“Në dallim të madh nga Edvin Kristaq Rama, kryeministri Viktor Orbán nuk zhvilloi një farsë elektorale, por zgjedhje të lira dhe të ndershme. Partia Demokratike, që nga themelimi i saj, ka një bashkëpunim të pandërprerë 35-vjeçar me Viktor Orbán dhe Fidesz-in për të cilin u është atyre mirënjohës. Vlerësojmë mbështetjen e palëkundur që i kanë dhënë PD-së gjatë këtyre viteve në opozitë, pranë organizatave partiake dhe institucioneve ndërkombëtare.”
Por Ervin Salianji mendon ndryshe. I vetëpërjashtuari i PD, e sheh veten si Magyari shqiptar, një lider i ri, që nuk po qan dhe ankohet, po po nis një lëvizje për ndryshim.
“Ndryshe nga ajo që kemi parë shpesh në Shqipëri, në Hungari ndodhi një kthesë e vërtetë. Opozita nuk u mjaftua me ankesa, qarje, nuk u fsheh pas justifikimeve, nuk u dorëzua. Ajo ndryshoi veten. U riorganizua. Zgjodhi lider të ri! Pati fuqinë të ndryshoje veten! Kjo është arsyeja pse prej kohësh kemi nisur lëvizjen për ndryshim në Partine Demokratike! Hungaria e bëri, është radha jonë!”- shkruan Salianji.
Në këtë sens, paralelizmat që hiqen në PD, kanë më shumë kuptim për vetë PD. Peter Magyar është një lider i ri i djathtë liberal, dikur nxënës i Viktor Orban që u largua, hapi parti të re, për të mposhtur babain e tij politik.
Në të njëjtën rrugë është edhe Ervin Salianji, vetëm se ka ngecur tek dera e PD, as po futet dot, as po largohet për të krijuar një parti të re.
Kurse Berisha dhe Orban, në harkun kohor të 1 viti humbën të dy zgjedhjet, të dy me moton e MAGA-s, dhe të dy duke tundur flamurin amerikan, por humbën përballë flamurit europian.
Ndryshe nga Salianji, për Berishën në këto zgjedhje kishte fitues, por nuk kishte humbës. Në përballjen mes një të djathti liberal të PPE mbështetur nga BE, dhe një të djathti konservator të mbështetur nga SHBA dhe Donald Tramp, doktorit i intereson t’i urojë të dy, kurse sherri t’i mbetet brenda PD. Në fund, ‘Punët e Shqipërisë’ dhe integrimin europian vazhdon i bën Edi Rama.
