Hyjnë në shtëpitë e reja te “5 Maji” 100 familjet e para, Ahmetaj: Një nga qendrat e reja të kryeqytetit

AKTUALITET


Zëvendëskryeministri dhe ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, mori pjesë në dorëzimin e 100 apartamenteve në lagjen “5 maji”, ku këto familje u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Në fjalën e tij, zv.kryeministri Ahmetaj tha se janë rreth 50 mijë familje që kanë përfituar nga procesi i rindërtimit, ndërsa shtoi se kjo lagje tashmë do të jetë një nga qendrat e reja të kryeqytetit.

“Dua t’i referohem një shifre shumë të rëndësishme, që tregon gjithë volumin e madh të punës që është bërë nga qeveria dhe bashkia. Janë rreth 50 mijë familje, që kanë përfituar nga procesi i rindërtimit. Projekti i “5 Majit” lindi një ditë pas ditës së tërmetit, kur kryeministri vendosi që rindërtimi të ishte me parimin ndërto më mirë, më bukur e më fort. Kjo lagje do jetë një nga qendrat e reja të Tiranës, me një stil që i përket të ardhmes. Familjet që do të jetojnë këtu do të kenë një shtëpi më të mirë, më të bukur dhe më të fortë. Dua të falënderoj njësinë e rindërtimit në Bashkinë e Tiranës, që kryeministri i besoi një nga projektet më të mëdha të rindërtimit. Këtu është ushtruar një nga modelet më sociale, ku qeveria ka vendosur t’i japi të gjitha kurorave brenda një familjeje shtëpi më vete. Këtu është edhe modeli i ri i strehimit, ku qeveria po e ushtron me atë që ne i referohemi shpronësim me shkëmbim. Unë kam një emocion të veçantë me këtë lagje, pasi punova si deputet në zgjedhjet e kaluara. I falënderoj të gjithë ata që votuan për PS dhe më mbështetën. Ne ditën 1 të pas tërmetit premtuam, këto janë fjalë të mbajtura, është premtim i mbajtur dhe puna flet vetë”, tha Ahmetaj.



Skip to toolbar