Hyn në fuqi rregullorja e re e BQK. Ndalohet përdorimi i dinarit serb në Kosovë

KOSOVA


Hyn sot (1 shkurt) në fuqi rregullorja që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë.

Rregullorja e publikuar më 17 janar, njeh monedhën Euro për kryerjen e transaksioneve në Kosovë, ndonëse komuniteti serb atje që nga paslufta, më 1999, kanë shfrytëzuar dinarin për të gjithçka, nga rrogat dhe pensionet deri te pagesat në dyqane dhe restorante.

Rregullorja e re mundëson që dinarët të mbahen në llogari bankare ose të shkëmbehen në euro.

Vendimi i Bnakës Qendore të Kosovës ka hasur në kundërshtim nga Beogradi, i cili e sheh rregulloren e re si tentativë të Kurtit për dëbimin e serbëve.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, sqaroi një ditë më parë, se tha se do të sigurohet tranzicioni i lehtësuar.

“Implementimi i rregullores nuk nënkupton ndalim të transfereve nga Serbia dhe nuk nënkupton dënime eventuale financiare për mbajtjen e valutës së një shteti tjetër”.

Bislimi, po ashtu, tha se do të zhvillohet një fushatë për informimin e qytetarëve dhe se shpreson për biseda mes bankave qendrore të Kosovës dhe të Serbisë për gjetjen e një mekanizmi për transfeta transparent të mjeteve.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës është e vendosur që “zbatimi i ligjshmërisë në secilën pjesë të territorit të Kosovës të jetë i pakushtëzuar dhe i pakompromis”.

Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, vazhdon ta përdorë dinarin për t’i paguar pensionet, ndihmat sociale dhe rrogat për institucionet paralele që ka në Kosovë.

Bislimi nguli këmbë se rregullorja e BQK-së nuk ka të bëjë me dinarin serb në veçanti.



Skip to toolbar