Një 37-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim nga policia shqiptare, i dënuar për vjedhje me dhunë nën kërcënimin e armëve, është arrestuar në Gjermani.
I arrestuari quhet Elton Sako, i cili rezulton se ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga “Interpol Tirana”, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar me 9 vite burg, për veprën penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim”.
Sipas Policisë së Shtetit, shtetasi Elton Sako, në bashkëpunim me shtetasit S. M., dhe L. M., në vitin 2012 kanë hyrë në banesën e shtetasit V. B., në rrugën “Qemal Stafa”, ku në banesë ndodhej vajza e mitur dhe nën kërcënimin e armëve dhe të maskuar kanë vjedhur një sasi bizhuterish.
Mësohet se pas informacioneve të marra nga strukturat e Policisë së Shtetit për vendndodhjen e këtij personi, si dhe shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tirana dhe Policisë Gjermane u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i 37-vjeçarit me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.