I dënuar në Greqi, Prokuroria kërkon shenjat e gishtave të Ismailajt

AKTUALITET


Prokuroria e Përgjithshme ka nisur verifikimet për kryebashkiakun Qerim Ismailaj, ku veprimi i parë kryesor është marrja e gjurmëve të gishtave, dhe pas dy ditëve do të dërgohet kërkesa kryebashkiakut të Mallakastrës, që të paraqitet në laboratorin e kriminalistikës, për depozitimin e gjurmëve të gishtërinjve.

Në bazë të gjurmëve të gishtërinjve do të bëhen dhe gjithë verifikimet në Shqipëri dhe në Greqi.

Njësia e dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, pritet që në ditët në vijim të nisë dhe një letër porosi, drejt autoriteteve greke, për të marrë një përgjigje zyrtare, nëse të dhënat që janë publikuar në dokumentin e PD, rezulton i vërtetë ose jo.

Në bazë të përgjigjes së autoriteteve greke do të bëhen dhe akt-kalimet e dosjes, e cila do t’i kalojë Prokurorisë së Tiranës pasi kjo e fundit, ka kompetencën për të vijuar hetimet për kryebashkiakun e Mallakastrës.

Ndërkohë Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar ditën e sotme kërkesë KQZ për kryebashkiakun e Mallakastrës. Organi i akuzës ka kërkuar nga KQZ, që ti vihet në dispozicion formulari i vetëdeklarimit të Qerim Ismailaj, i depozituar me herët nga vetë kryebashkiaku i Mallakastrës.

Sipas PD, kryebashkiaku i Mallakastrës është dënuar për kryerjen e veprimeve të dhunshme, plagosje (rrahje) dhe nuk e ka vuajtur dënimin për shkak të mosgjetjes në territorin grek.

Sipas ligjit të dekriminalizimit, pretendon PD, Qerim Ismailaj nuk mund të ushtrojë asnjë funksion publik, aq më pak të jetë kandidat për kryetar bashkie dhe se ai është subjekt ndalimi sipas ligjit dhe duhet menjëherë të procedohet penalisht për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit. Ndërsa vetë Ismailaj ka thënë se nuk ka qenë në dijeni të një akuze të tillë nga shteti grek.



Skip to toolbar