Policia e Korçës ka vënë në pranga një 37-vjeçar, i cili akuzohet se i ka vënë gjobë 5000 euro një biznesmeni, duke e kërcënuar me vrasje nëse nuk paguante paratë. Autori i kësaj gjobëvënie është cilësuar nga policia me rrezikshmëri të lartë shoqërore, pasi ka qenë i dënuar më parë për “vrasje me paramendim”.
Sipas të dhënave nga policia e qytetit juglindor, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Korçës, bënë ndalimin me iniciativë të shtetasit E.L, 37 vjeç, banues në Korçë. “Ndalimi i tij u bë, pasi dyshohet se ky shtetas ka kanosur me thikë një biznesmen në qytetin e Korçës, duke i kërkuar në këmbim të jetës shumën prej 5000 Euro”, deklaroi policia.
Grupi hetimor tha se nga tërësia e veprimeve të kryera, rezulton se shtetasi i lartpërmendur ka konsumuar elementët e veprës penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme hetimore.