Të paktën 15 persona mbetën të vrarë dhe dhjetra të tjerë u plagosën në sulmin me armë zjarri që tronditi ditën e djeshme plazhin Bondi gjatë festës Hebraike të Hanukkah.
Autoritetet australiane nuk kanë publikuar ende identitetet e të gjitha viktimave, por është konfirmuar se mes të vrarëve janë një vajzë 10-vjeçare, dy rabinë (mësues) izraelitë, një inxhinier francez dhe një i mbijetuar i Holokaustit.
Mes viktimave, sipas organizatës, ishin anëtari i Chabad, Reuven Morrison dhe rabini Yaakov Levitan, i cili ishte sekretar i Sydney Beth Din, një institucion fetar hebre.
I mbijetuari i Holokaustit, Alex Kleytman, u vra gjithashtu në të shtënat, në të cilat kishte marrë pjesë me fëmijët dhe nipërit e tij, raportoi Chabad.
Shtetasi francez Dan Elkayam gjithashtu vdiq, konfirmoi ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot në X. “Ne mbajmë zi me familjen dhe të dashurit e tij, me komunitetin hebre dhe me popullin australian në zi”, shkroi Barrot.
10-vjeçarja, për të cilën policia thotë se është midis viktimave, është identifikuar nga mediat lokale vetëm si Matilda, pasi familja e saj kërkoi të mos e bënte të ditur mbiemrin e saj.
Në një mbledhje fondesh të organizuar për familjen e saj, mësuesja e saj e përshkroi atë si një “fëmijë të ndritshme, të gëzueshme dhe plot energji që u solli dritë të gjithëve përreth saj”.
Një tjetër nga viktimat ishte Peter Meagher, një ish-polic dhe vullnetar i klubit lokal të regbisë. Ai kishte punuar si fotograf i pavarur në eventin e Hanukkah, tha Randwick Rugby Club.
