Policia e Tiranës arrestoi sot (1 dhjetor 2023) bashkëpunëtorin e tretë të Florian Gjergjit në realizimin e skemës së përvetësimit të 50 mijë eurove përmes mashtrimit ndaj biznesmenes Vilma Nushi.
Në pranga ra Kristjan Lukaj, 29 vjeç, banues në Shkodër. Ndërsa pak ditë më parë u arrestuan Albert Gjini e Rudor Balla. Operacioni u kodua “Repeat”.
“Ky shtetas dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasit Albert Gjini dhe Rudor Balla (të arrestuar) dhe me shtetasin F GJ. (në kërkim), për t’i marrë shumën 50 000 euro, një shtetasi, nëpërmjet mashtrimit, duke u prezantuar si përfaqësues të një personi publik” informoi Policia e Tiranës.
E ndërsa policia arriti të arrestojë edhe këtë herë bashkëpunëtorët, rrjetës i ka shpëtuar sërish i dyshuari si koka dhe organizatori i këtij mashtrimi, Florian Gjergji i cili mendohet se jeton në Gjermani dhe nga atje përgatit skemat për të grabitur paratë e biznesmenëve. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 1 celular.
Si ndodhi mashtrimi
Të arrestuarit, Albert Gjini dhe Rudor Balla dhe Kristjan Lukaj kanë komunikuar me një drejtoreshë të biznesit të Vilma Nushit. Mashtruesit, të drejtuar nga Florian Gjergji, i kanë kërkuar drejtoreshës 50 mijë euro, duke iu prezantuar si pronarja e saj.
Ato i kanë thënë që paratë t’i sillte afër qendrës së Tiranës dhe një person tjetër do t’i merrte për llogari të Nushit. Paratë janë dorëzuar dhe autorët janë larguar.
Në momentin që drejtoresha është takuar me Vilma Nushin, është kuptuar që kanë rënë pre e një mashtrimi dhe më pas është bërë denoncim. Krimi Ekonomik ka mundur të identifikoj personat që kanë kryer mashtrimin dhe është sekuestruar një pjesë e parave. Pasi kanë kuptuar mashtrimin është bërë denoncimi në polici.