I njohur me 10 emra, vetëdorëzohet në polici kreu i grupit kriminal Kreshnik Faruku

AKTUALITET


Vetëdorëzohet në policinë e Durrësit kreu i grupit kriminal Kreshnik Faruku.

Kreshnik Farruku (Budlla) është një emër i njohur në botën e krimit, i cili ka përdorur 10 emra për t’i shpëtuar drejtësisë, teksa njihet më shumë edhe si Kreshnik Farruku. Ai është vetëdorëzuar mbrëmjen e së hënës dhe pritet që të ekstradohet drejt Italisë pasi kërkohet nga shteti fqinjë për trafikim lëndësh narkotike.

Në dhjetor 2024, Gjykata e Posaçme konfiskoi 27 pasuri të këtij klani, të regjistruara në emër të Kreshnik Farrukut dhe vëllait Erneo Farrukut, përfshirë toka bujqësore, apartamente, dyqane dhe automjete.

Në maj të 2019-ës ai u arrestua në Spanjë, së bashku me vëllanë e tij dhe një tjetër anëtar të fisit. Ai ra në pranga në një hotel në Madrid pas disa muajsh hetime dhe ndjekje nga policia, pasi kërkohej në Spanjë dhe Itali për trafik kokaine dhe vjedhje të disa banesave, ndërsa është hetuar edhe për vrasje në Spanjë.

Sipas medieve spanjolle Kreshnik Budlla dyshohej për vrasjen e bosit të tij në Spanjë, në vitin 2010, për shkak të pazareve të drogës. Por pas hetimit, prokurorët spanjollë konkluduan se vrasjen e kishte përgatitur Devi Kasmi, i cili mbeti i vrarë në një atentat në janar të 2018-ës në Tiranë.

Në maj 2010, Farruku u arrestua së bashku me shtatë anëtarë të tjerë të bandës në Barcelonë me 20 kg kokainë që po përpiqej ta trafikonte në Itali me makinë. Pas prangosjes së tij, ishte vëllai më i vogël, Erneo, që mori udhëheqjen e grupit, por u arrestua dy vjet më vonë në vitin 2012.

Në vitin 2014, Kreshnik Farruku u arratis nga burgu ndërkohë që vijoi që të merrej me trafikun e drogës, derisa u arrestua në vitin 2019.

Në vitin 2015 Kreshnik Farrukut iu bë një atentat në Shqipëri. Ai ishte në shoqërinë e kunatit të tij, Rinald Budlla, dhe të dy shokëve, kur është qëlluar me armë në zonën e “Don Boskos”, ndërsa u plagos një kalimtare. Pista asokohe lidhej me prishjen e pazareve të drogës në Itali, Spanjë dhe Holandë.



Skip to toolbar