I pandehur për rusët, Basha quan Putin Ramën

Më të fundit


Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka reaguar pas njoftimit të prokurorisë se ai bashkë me zyrtarë të tjerë të PD, janë marrë të pandehur, duke hedhur akuza se ky është një hetim politik i orkestruar nga Kryeministri Rama me metoda putiniane. Kryetari i PD ka deklaruar se nuk trembet nga këto akuza, që sipas tij janë qesharake.

“Edi Rama, me metoda putiniane, ka vendosur të hapë hetime kundër meje, me akuza qesharake, të sajuara keq nga prokuroria e tij politike. Mua nuk më bëhet vonë fare për këto akuza dhe këtë hetim politik. Edi Rama ka menduar se do të më trembë mua apo do të stepë opozitën, por do ta kuptojë shpejt se unë as nuk trembem dhe as nuk tërhiqem!”, deklaroi Basha.

Sipas Bashës, hetimi është absurd dhe nuk ka prova e fakte kundër asnjë prej zyrtarëve të PD, pavarësisht se ai nuk ka pranuar edhe më parë të paraqitet në prokurori. “Edi Rama ka një vit e gjysmë që mban si shpatë në dorë një hetim absurd, pa prova dhe pa asnjë fakt kundër Partisë Demokratike. Tani që është në dëshpërim për të larguar vëmendjen nga kriza politike dhe skandalet për bashkëpunimin me krimin për të vjedhur zgjedhjet, Edi Rama ka vendosur që të sajojë akuza absurde për të shpërqendruar publikun”. Këto metoda alla Putin dhe Maduro, për t’u mbyllur gojën dhe neutralizuar kundërshtarët politikë dhe shkatërruar demokracinë, thjesht do ta thellojnë më shumë gropën ku ka rënë Edi Rama dhe do ta bëjnë të pashmangshëm dhe të shpejtë fundin e keq të tij. Edhe fundin e bashkëpunëtorëve të Edi Ramës, pa asnjë përjashtim, nga kriminelët e bandave deri tek prokurorët e kriminalizuar që i shërbejnë Edi Ramës”, deklaroi Basha.



Skip to toolbar