I shpëtoi disa atentateve, kapet ‘i forti’ i Tiranës. Lidhja me vrasjen e Malkos

AKTUALITET


Policia ka vënë në pranga 44-vjeçarin Elvis Gaçaj, të cilin e ka cilësuar person me rrezikshmëri të lartë dhe një emër i njohur për policinë shqiptare për shkak se është përfshirë në disa ngjarje kriminale dhe në disa atentate që janë organizuar për të, por që ka shpëtuar për mrekulli. Gaçaj është arrestuar mbrëmjen e së martës në Durrës. Ai ka tentuar t’i arratisej policisë por “blutë” ia kanë dalë ta arrestojnë duke i sekuestruar një pistoletë që e mbante pa leje.

Gaçaj rezulton një nga emrat më të njohur për drejtësinë shqiptare. Dy herë i dënuar për krime të rënda, vrasje e tentativë vrasjeje, por i hetuar edhe për trafik droge brenda e jashtë Shqipërisë. Elvis Gaçaj është dënuar për vrasje në vitin 1992. Ai ishte adoleshent kur vrau me thikë shokun e tij.

Duke e goditur në njërën kofshë, i preu arterien kryesore dhe për pasojë bashkëmoshatari i tij gjeti vdekjen në spital. Për këtë ngjarje ai është dënuar me 14 vjet burg, dënim të cilin e ka përfunduar para disa vitesh.

Elvis Gaçaj i shpëtoi një atentati të organizuar ndaj tij më 1 tetor të vitit 2015, pranë lulishtes “1 Maji” në Tiranë. Ai mbeti i plagosur, ndërsa u vranë dy miqtë e tij, një vajzë e një djalë.

Në dy vjet ai u kishte shpëtuar edhe dy atentateve të tjera, por ndryshe nga ai 1 tetorit 2015, sulmet e mëparshme për ta eliminuar ishin kryer me eksploziv. Në të parin u plagos lehtë nga shpërthimi i një sasie tritoli në makinë. Atentati i dytë mbeti në tentativë, pasi shpërthimi i lëndës plasëse nuk u realizua. Ndërsa mbrëmjen e 1 tetorit të 4 viteve më parë, autorët e provuan me armë zjarri. Madje me dy të tilla, një automatik e një pistoletë. Por edhe këtë radhë dështuan. Plumbat e nisur për Gaçajn i morën jetën të dashurës së tij dhe 22-vjeçarit që punonte për të. Ai vetë shpëtoi me dy plagë të lehta në shpatull e në dorë, ndonëse autorët i shkrepin armët plot 29 herë.

Emri i Elvis Gaçaj përmendet edhe në një tjetër njoftim policie ku renditen edhe emrat e 3 personave që aktualisht janë shpallur në kërkim për vrasjen e ish policit Santjago Malko. Më 8 prill të këtij viti policia arrestoi disa persona mes tyre dhe 44-vjeçarin Elvis Gaçaj si pjesë e një grupi kriminal që dyshohej se do të kryenin një vrasje. Por se për çfarë vrasje bëhej fjalë nuk u mor vesh asnjëherë. Megjithëse nuk përjashtohet mundësia të ketë qenë edhe ngjarja që ata dyshohet se kanë realizuar në muajin gusht, pra, ekzekutimi i Santjago Malkos. Megjithatë, pak kohë më vonë, të gjithë personat e arrestuar, mes tyre dhe Gaçaj, u lanë të lirë nga Gjykata e Apelit, në rrethana ende të paqarta.



Skip to toolbar