I vunë tritol në mobilerinë e tij në Durrës, pronari: Është hera e tretë që më sulmojnë

AKTUALITET


Në orët e para të mëngjesit të sotëm një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur në lagjen nr.14 në  Durrës.

Mësohet se një person  i maskuar me kapuç ka hedhur një sasi tritoli, e cila ka dëmtuar fasadën e biznesit, duke thyer xhamat.


Policia po kqyr të gjitha kamerat e zonës, për të identifikuar autorin, ndërsa në pyetje janë marrë pronari i mobilerisë, Artan Alla dhe punonjësit e tij, për ndonjë konflikt të mundshëm.

Në dëshminë e tij, Alla është shprehur se nuk ka konflikt me asnjë dhe se kjo është hera e tretë që e sulmojnë.

“Nuk kam konflikt me asnjë njeri në botë. Rri natë ditë para dyqanit. As prona nuk kam konflikt, as borxh nuk kam. E kam me leje me çdo gjë. Ia kanë futur kot policia, ndoshta kanë dyshimet e veta. Nuk e di nga ka ardhur.

Kamerat kanë kapur një person duke hedhur lëndën plasëse dhe ka ikur. Ka qenë në këmbë me kapuç dhe maskë. Kjo është hera e tretë që ma hedhin.

Njëherë në nëntor, një herë para tre katër javësh. Unë punë time po rri këtu. Punëtorët i kam flori, nuk kanë asnjë lloj problemi. Edhe drekën ia sjell unë. Nuk kam asnjë lloj konflikti me asnjë njeri në botë”, tha ai.

Paraprakisht deklarohet se konflikti është për një copë toke, për të cilin dyshohet se iu hodh nga rruga një sasi lënde plasëse me fitil zjarrpërcjellës.




Skip to toolbar