Ikën Besniku i Metës. Vettingu çon Muçin në shtëpi

AKTUALITET


Besnik Muçi del jashtë sistemit të drejtësisë. Kandidati i emëruar nga presidenti Meta në Gjykatën Kushtetuese digjet nga pasuria. Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur të enjten të shkarkojë nga detyra anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi. Sipas KPA-së Besnik Muçi nuk justifikon blerjen e një apartamenti si dhe ka deklarim të pasaktë të pasurisë.

“Besnik Muçi ka deklarim të pamjaftueshëm për apartamentin 57 m2 dhe kredive te marra tek te afërmit, babai, xhaxhai dhe motra. Është në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm të pasurisë. Nuk deklaroi saktësisht pasurinë tokë bujqësore në Pogradec”, thuhet në vendimin e KPA-së.

Me këtë vendim Besnik Muçi jo vetëm që shkarkohet nga detyra e gjyqtarit, por përjashtohet edhe nga sistemi i drejtësisë.

Fill pas këtij vendimi të KPA-së, ka reaguar presidenca duke e cilësuar këtë vendim një turp dhe duke sulmuar procesin e vettingut që sipas presidencës është i kapur nga Rama, pavarësisht se vlerësohet nga i gjithë faktori ndërkombëtar.

“ZERO SURPRIZË nga vettingu i Partisë. Pas dështimit të rrëmbimit flagrant të Gjykatës Kushtetuese, rikthehet skenari për bllokimin e këtij institucioni nga të njëjtët aktorë që e bllokuan për tre vjet. TURP! TURP! TURP!”, thekson presidenca.

Kujtojmë se presidenti Meta e zgjodhi Besnik Muçin, për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese duke e ditur se ai ende nuk e kishte kaluar vettingun dhe realstory.al ka paralajmëruar më herët se kjo ka qenë një përpjekje e tij për të bllokuar Kushtetuesen ose për ta vonuar sa më shumë ngritjen e këtij institucioni. Megjithatë Kushtetuesja mund të plotësohet brenda dhjetorit nëse çështja shkon, siç sugjeruan amerikanët, në komisionin e Venecias dhe kjo e fundit sipas precedentëve të vendeve të tjera pritet të njohë emërimin e Arta Vorpsit në këtë Gjykatë.



Skip to toolbar