Drejtoresha e re e ARRSH Vasilika Vjero ka dhënë dorëheqjen vetëm dy javë pas emërimit në krye të këtij institucioni. Ajo u emërua në datë 20 shtator pas largimit nga detyra të Sonila Qatos, e cila më herët ka mbajtur edhe funksionin e ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.
Mediat raportojnë se Vjero ka dorëzuar dorëheqjen nga detyra të enjten për shkak të problemeve familjare. Sipas të dhënave, drejtoresha e dorëhequr e ARRSH është larguar nga Shqipëria për shkak të një problemi shëndetësor të një prej anëtari të familjes. Vjero, përveç drejtimit të ARRSH-së vetëm dy javë, më parë ka qenë në krye të Tatimeve, por edhe drejtuese e Qendrës Kombëtare të Biznesit.