Ministri Ervin Hoxha gjatë takimit me drejtues të Policisë së Shtetit, ndërsa ka bërë me dije dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, njoftoi nxjerrjen e udhëzimit për nisjen e procedurave për zgjedhjen e drejtorit të ri.
Ai sqaroi se përkohësisht këtë detyrë do e mbaj zv.drejtori i Përgjithshëm, Sokol Bizhga.
“Sot, është dita për ta kaluar stafetën tek një tjetër gjeneratë drejtuesish, të cilët falë punës kolosale të bërë deri këtu, nuk do ta fillojnë rrugën e tyre nga gremina e vitit 2013, por nga një lartësi e arritur me mundin e me kohën e një dekade dhe nuk do të kenë asnjë justifikim për të mos e ngjitur Policinë e Shtetit në rangun e trupave më të mira të Bashkimit Europian.
Në bazë të këtij ligji kam nxjerrë Udhëzimin për fillimin e procedurave të përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe në zbatim të tij, në detyrën e përkohshme të drejtuesit të lartë të Policisë, do të komandohet Zv.drejtori i Përgjithshëm, Sokol Bizhga.
I ftoj të gjithë drejtuesit të Policisë, të cilët janë sipas rangjeve të parashikuara nga ligji të kandidojnë për Drejtor të Përgjithshëm. Nëse e kanë këtë ambicie të mos ngurrojnë. Procesi është i hapur dhe zgjedhja do të jetë e pandikuar nga asgjë tjetër, përveç vlerave individuale të çdo kandidature.
Kam bindjen se ata që do të dorëzojnë stafetën udhëheqëse të kësaj trupe, që nga Drejtori i Përgjithshëm dhe të gjithë të tjerët, nuk do ta kursejnë dijen dhe përvojën e jashtëzakonshme të fituar në gjithë këto vite në vijën e parë, për të mbështetur ngjitjen e mëtejshme të trupës së policisë drejt majës së Shqipërisë 2030“, deklaroi Hoxha.
Ministri u shpreh se përparimi i dekadës së fundit për Policinë e Shtetit ka qenë i jashtëzakonshëm duke e krahasuar me 10 vite më parë.
Ai theksoi se ambicia për Policinë e Shtetit 2030, mbështetet në potencial për ta ngritur këtë institucion në një tjetër nivel, duke rritur cilësinë e shërbimit.
“Besoj se jam një dëshmitar mjaftueshëm objektiv për të thënë sot se, përparimi i dekadës së fundit është i jashtëzakonshëm, po të merret parasysh pika kritike ku ishte katandisur Policia e Shtetit dhe ndjenja dëshpëruese e braktisjes që përjetohej në radhët tona deri përpara 10 viteve. Ambicia jonë për Policinë e Shtetit 2030, si një trupë e denjë e Bashkimit Europian është një ambicie e mbështetur në potencialin konkret që kemi për ta ngritur Policinë në një nivel të ri, duke konsoliduar më tej tendencën në rënie të kriminalitetit dhe rritur më shpejt cilësinë e shërbimit policor në çdo aspekt”, shtoi ai.
Takimi i ministrit Hoxha me drejtuesit e Policisë së Shtetit erdhi pas dorëheqjes së Drejtorit të Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku. Ky i fundit mbajti për 2 vite postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Rrumbullaku u emërua Kreu i Policisë së Shtetit në shtator të vitit 2022.
Kjo ishte mbledhja e parë e ministrit që kur mori detyrën e ministrit më 28 korrik.