Mëngjesin e të enjtes, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit u rikthye në zonën e “Astirit” për të vijuar punën për prishjen e disa objekteve, të cilat ndodhen në rrezen ku kalon projekti i Unazës së Re. Fillimisht IKMT bëri rrethimin e zonës ku ndodheshin objektet që do të shembeshin, ndërsa me ndihmën e policisë u bë dhe ndalimi i kalimit të mjeteve. Më pas, nisi puna për shembjen e pesë objekteve të planifikuara për tu shembur.
Në një informacion zyrtar, IKMT tha: “Në një aksion që nisi prej orës 6 të mëngjesit, IKMT ka prishur 5 objekte në zonën e Astirit në gjurmën e Unazës së Madhe. Objektet ishin të madhësive një katëshe (1), tre objekte ishin dy katëshe dhe 1 katër katësh. Ndërkohë, një objekt 6 katësh do të prishet të premten me shpërthim të kontrolluar. Së bashku me 35 objektet e prishura në aksionet e mëparshme, shkon në 41 numri i tyre në Lotin 1”, tha IKMT.
Ndërkohë, gjatë ditës së enjte nuk pati rezistencë nga banorët pronarë të objekteve që u shembën. Megjithatë, policia ishte në zonën ku u prishën ndërtesat për të garantuar mbarëvajtjen e punës për shembjen e objekteve nga IKMT. Aksioni do të vijojë edhe gjatë ditës së premte, ku pritet të shembet objekti 6 katësh me shpërthim të kontrolluar.