Inxhinieri Arben Meçe: Koncesionet nuk zgjidhin situatën, duhen 500 mln euro

POLITIKË


Inxhinieri i ndërtimit Arben Meçe, i ftuar në Real Story të Sokol Ballës ka dalë kundër planit të Bashës për anulimin e koncesioneve, pasi sipas tij, kjo nuk e zgjidh situatën emergjente, ndërkohë që ka paralajmëruar një shifër të frikshme për pasojat e tërmetit, duke deklaruar se dëmi mund të shkojë në 500 milionë euro. Duke kundërshtuar Gazmend Oketën e PD për deklaratën e planit të Bashës, Meçe shpjegoi pse teknikisht nuk e zgjidh situatën anulimi i koncesioneve.

Sipas tij, qeveria jep 150 milionë euro për koncesionet në vit, por ajo i jep muaj për muaj, pra rreth 15 milionë euro në muaj. “Qeveria nuk i ka 150 milionë euro në dorë. Ajo mbledh muaj për muaj 15 milionë euro dhe i jep. Shteti në këtë moment nga këto koncesione posedon 15 milionë euro në dorë. Ato s’bëjnë asgjë. Unë kam deklaruar 500 milionë dëme nga tërmeti. I kam thënë; përgatituni. 15 milionë nuk janë as për menaxhimin e situatës sociale për të ushqyer njerëzit. Teknikisht nuk realizohet. Kushtet financiare për Shqipërinë nuk e përballojnë emergjencën. Goditja që ka pësuar Shqipëria është katastrofike.”, tha Meçe.

Po ashtu, inxhinieri vuri në dukje se kjo mund të zgjidhet vetëm me fonde nga ndërkombëtarët, por për të arritur këtë, ata kanë sjellë ekspertët e tyre në vend për të parë situatën. “Unë kam qenë kundër ekspertëve ndërkombëtarë, pasi Shqipëria ka ekspertë shumë të mirë, por nuk besojnë ndërkombëtarët. Dhe mungesa e besimit vjen pikërisht nga këto që themi gjatë gjithë kohës, mafia, mafia, mafia. Si mund të besojnë paratë në dorën e mafies. Prandaj kanë sjellë ekspertët e tyre për të kthyer besimin tek të huajt”, deklaroi Meçe.



Skip to toolbar