“Irani do sulmojë pas Bajramit”, Khamenei: Izraeli duhet të ndëshkohet për sulmin në ambasadë

BOTA


Izraeli duhet të ndëshkohet dhe ashtu do të ndodhë! Paralajmërimi i liderit Suprem të Iranit, Ajatollahut Ali Khamenei, sinjalizon se përgjigjja e Teheranit lidhur me sulmin kundër ambasadës iraniane në Siri, nuk do të vonojë. Në një përshkallëzim të rrezikshëm të luftës izraelite me kundërshtarët rajonalë, avionë të dyshuar të Tel Avivit bombarduan konsullatën e Iranit në Damask më 1prill, në një sulm që la të vrarë 7 pjesëtarë të gardës revolucionare, 2 prej të cilëve gjeneralë.

Khamenei e bëri deklaratën gjatë fjalimit të mbajtur pas lutjeve për fundin e muajit të Ramazanit.

“Kur ata sulmojnë konsullatën, është si të sulmonin tokën tonë. Regjimi i lig bëri një gabim dhe duhet të ndëshkohet”, u shpreh Khamenei.

Nuk ka vonuar përgjigjja e Izraelit që përmes ministrit të jashtëm izraelit. Israel Katz tha se vendi do të reagonte, nëse Irani sulmonte nga territori i tij.

“Nëse Irani sulmon nga territori i vet, Izraeli do të kundërpërgjigjet duke sulmuar Iranin”, tha Katz. Grupet e mbështetura nga Irani në rajon, kanë vënë në shënjestër Izraelin që prej nisjes së luftës në Gaza, por përfshirja e drejtpërdrejtë e Teheranit, do ta çonte konfliktin drejt një trajektore tejet të rrezikshme.

Sipas mediave në Izrael, funksionarë ushtarake vlerësojnë se hakmarrja e Iranit mundtë jetësohet pas festës së Fiter Bajramit, e cila mbyllet më 12 prill. Forcat e mbrojtjes vlerësojnë se sulmet do të shënjestrojnë resurse ushtarake ose strategjike dhe jo zona të banuara.

Siç thuhet, Tel Avivi po përgatitet për një sulm në shumë fronte, që mund të vijë edhe nga vetë toka Iraniane.



Skip to toolbar