Irani merr hak për Soleimani, sulmon bazat ajrore amerikane

AKTUALITET


Vetëm një ditë pas ceremonisë së varrimit të komandatit Qassem Soleimani, Irani nuk priti gjatë për të marrë hak ndaj SHBA por sulmoi dy bazat ajrore që strehojnë trupat amerikane në Irak duke hedhur një duzinë me raketa balistike.

Televizioni shtetëror iranian konfirmon se sulmi është ndërmarrë si hakmarrje ndaj vrasjes së komandantit të lartë të vendit, Qasem Soleimani. Ai u vra në një sulm me dron në Bagdad, me urdhër të presidentit amerikan Donald Trump.

Pentagoni thotë se dy bazat e ushtrisë amerikane u sulmuan, në Irbil dhe Al Asad. Përmes një twitter presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se po punohet për të verifikuar dëmet dhe viktimat e shkaktuara dhe pritet që së shpejti të dalë në një konferencë për mediat.

“Gjithçka është mirë! Raketat janë lëshuar nga Irani në dy baza ushtarake të vendosura në Irak. Vlerësimi i dëmeve po ndodh tani. Ne kemi ushtrinë më të fuqishme dhe të pajisur mirë kudo në botë!”, ka shkruar Trump.

Ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif lëshoi më vonë një deklaratë në Twitter, duke pretenduar se sulmi ishte vetëmbrojtje dhe mohoi se Irani po kërkon të përshkallëzohet situata.



Skip to toolbar